– “Dhe u dërguam një profet nga mesi i tyre (që u tha): “Adhuroni vetëm Allahun! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) veç Tij. A nuk i frikësoheni (dënimit)?” – Allahu dërgoi një profet nga mesi i tyre, të cilit ata ia njihnin prejardhjen, besnikërinë dhe sinqeritetin, në mënyrë që ta pranonin e ta pasonin me kënaqësi e bindje. Meqë Profeti ishte nga mesi i tyre, ky duhet të ishte një shkak më tepër që ata ta pranonin dhe të mos e urrenin.
Edhe ky profet i ftoi ata në të njëjtin besim, ashtu si të gjithë profetët e tjerë me popujt e tyre. Ai u tha: “Adhuroni vetëm Allahun! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) veç Tij.” Të gjithë profetët kanë qenë unanim në këtë ftesë madhështore. Kjo ishte gjëja e parë në të cilën ftuan popujt: ta adhuronin Allahun si Një e të vetëm, sepse Ai është i vetmi që meriton adhurimin. Ata i ndihmuan e paralajmëruan popujt që të largoheshin nga idhujtaria dhe idhujt dhe i njoftuan se adhurimi i çdo gjëje tjetër veç Zotit është i dënueshëm dhe jo i dobishëm. Prandaj ai tha: “Nuk keni frikë?” Pra, a nuk i frikësoheni Zotit tuaj dhe t’iu largoheni këtyre idhujve?