– “E, kur të hipësh në anije së bashku me ata që janë me ty, thuaj: “I lavdëruar qoftë Allahu, i Cili na shpëtoi prej popullit keqbërës (mohues)!” – Pasi të keni hipur në anije dhe të keni marrë rrugën përmes detit të dallgëzuar, lavdërojeni Allahun, që ju shpëtoi dhe thoni: El hamdu lil-lahil-ledhi nexh-xhana minel kaumidh-dhalimin – I gjithë lavdërimi i qoftë Allahut, i cili na shpëtoi nga populli keqbërës (mohues)!” Allahu e mësoi Profetin e Tij Nuh dhe ata që shpëtuan së bashku me të, që të thonë këto fjalë në shenjë mirënjohje e lavdërimi për Të, që i mbrojti nga populli zullumqar, duke i larguar fillimisht nga veprat e tyre të këqija e mohimi, dhe pastaj duke i ruajtur nga ndëshkimi i merituar për atë mohim e shfrenim.