– “Ne e dërguam Nuhun te populli i tij dhe ai i tha: “O populli im! Adhuroni vetëm Allahun!” – Allahu i Madhëruar na tregon për shpalljen që i dhuroi Profetit të Tij të durueshëm, Nuhut (a.s). Ai është i pari Profet që Zoti dërgoi ndër njerëz. Allahu e dërgoi Nuhun (a.s) në një popull që adhuronin idhujt, për t’i urdhëruar ata që të adhuronin vetëm Allahun si Një të vetëm dhe të Pashoq.
Nuhu u tha atyre: “O populli im! Adhuroni vetëm Allahun! Bëhuni të sinqertë në të gjitha adhurimet që ia përkushtoni Zotit dhe pastrojini adhurimet tuaja nga shirku e syfaqësia. Nëse nuk jeni të sinqertë dhe nuk pastroheni nga shirku, asnjë adhurim nuk ju pranohet nga Zoti.”
– “Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) veç Tij.” – Merita e adhurimit i takon vetëm Allahut, prandaj nëse i dedikohet dikujt tjetër, është vepër e dënueshme, që nuk të sjell asnjë dobi. Allahu është i vetmi i Adhuruar me meritë, sepse Ai është i vetmi Krijues e Furnizues, i cili është i plotë dhe absolut në çdo aspekt, ndërsa çdo gjë tjetër është krijesë nevojtare e pafuqishme, e mangët në çdo drejtim.
– “A nuk i frikësoheni (dënimit)?“ – A nuk keni frikë Zotin dhe dënimin e Tij, për faktin që ju po adhuroni idhuj e puta me pamjen e njerëzve të mirë dhe u dedikoni lutje e adhurime në vend të Allahut? Nuhu vazhdoi t’i ftonte ata fshehtas dhe haptas, natën dhe ditën, për 950 vjet, por ata e shtonin arrogancën dhe largimin nga e vërteta dhe ftesa e Zotit.