– “Dhe mbi to ashtu si edhe mbi anije ju (ngarkoni dhe) udhëtoni.” – Ju bëmë të mundur mjete transporti tokësore, nëpërmjet të cilave lëvizni mallrat e gjërat tuaja të rënda në vende të largëta. Zoti jua mundësoi këto mjete e ju mësoi si të punoni. Ai ju mësoi të ndërtoni edhe anije e mjete lundrimi, për udhëtimet detare.
Atëherë, Ai që begaton me të tilla mirësi dhe dhuron nga bujaria e Tij, Ai e meriton mirënjohjen e plotë dhe të gjitha lavdërimet. Njeriut duhet të përpiqet me gjithçka që ka për t’i përkryer adhurimet për Allahun e Lavdëruar dhe t’i përdorë të gjitha mirësitë që Ai i dhuron veçse për t’iu bindur Atij dhe asnjëherë për ta kundërshtuar e për gjynahe.