– “Dhe Ne lëshojmë ujë nga qielli me masë të caktuar …” – Nga ky ujë sigurohet jetesa juaj dhe e kafshëve tuaja. Furnizimi është gjithmonë i mjaftueshëm për ju dhe është bërë që juve të mos ju mungojë asgjë. Shiu bie në masë të mjaftueshme për tokën dhe bimësinë, që të plotësohen nevojat e saj. Ai bie në formë aq të bukur dhe të butë, që të mos jetë i dëmshëm e shkatërrues për të mbjellat dhe banesat tuaja.
– “… dhe Ne e bëjmë atë (ujin) të futet në Tokë për ju.” – E lëshojmë në tokë, e grumbullojmë dhe ruajmë brenda saj. Pastaj, me pushtetin e të Gjithëmëshirshmit, dalin larmi bimësh në çift. Një pjesë të madhe të këtij uji, i Urti e mban nëpër burime e rezerva të mëdha ujore, që ju ta keni mundësinë për ta nxjerrë përsëri. Ai nuk është bërë të humbasë në thellësi të tokës dhe që ju të mos keni mundësi ta nxirrni:
– “Por Ne, sigurisht mund ta bëjmë atë (ujin) që të humbë (në thellësi të tokës).“ – Mund ta zhdukim duke mos e lejuar të bjerë nga qielli ose dhe e bëjmë të zhduket në thellësi të tokës, që ju të mos mund ta nxirrni, ose mund të bjerë furishëm e të shkatërrojë gjithçka. Kjo është një ftesë dhe nxitje për krijesat, që t’i shprehin mirënjohjen Zotit për mirësitë që u ka dhënë. Ata duhet ta vlerësojnë dhe dinë mirë se si është të mos i kesh ato mirësi, siç thotë i Madhëruari: “Më tregoni, nëse uji juaj humbet në thellësi, kush do t’ju sjellë juve ujë në sipërfaqe?!” [Mulk 30].