– “Po të kishim dashur, Ne do ta kishim lartësuar atë nëpërmjet Shenjave Tona …” – Po të dëshironte Allahu i Lartësuar, do ta lartësonte atë me diturinë që kishte, duke i dhënë forcë dhe vullnet për të punuar sipas saj. Në këtë mënyrë, ai do të ishte tërësisht i mbrojtur nga armiqtë e tij, në krye të të cilëve qëndron Shejtani i mallkuar.
– “… por ai e kërkoi përjetësinë në tokë dhe ndoqi dëshirat e tij të kota.” – Me atë që bëri, ai e meritoi braktisjen dhe devijimin. Ai u mahnit pas kësaj dynjaje, a thua se do të ishte i përjetshëm në këtë botë, prandaj u lëshua i tëri në plotësimin e dëshirave të tij të ulta. Ai braktisi bindjen ndaj Allahut të Lartësuar, që në fakt duhet të ishte i dashuri dhe i adhuruari i tij. Allahu i Lartësuar bën një krahasim për këtë lloj njeriu:
– “Ai i ngjan një qeni, të cilin, nëse e përzë, nxjerr gjuhën, por edhe nëse nuk e përzë, ai sërish nxjerr gjuhën.” – Për shkak të rëndësisë së madhe që i dha kësaj bote, me dashuri të tepruar për të, ky njeri i ngjan atij qenit që, nëse e përzë, nxjerr gjuhën, por edhe nëse nuk e përzë, ai sërish nxjerr gjuhën, domethënë, do të vazhdojë të bëjë atë që dëshiron.
Edhe ky njeri do të vazhdojë që t’i japë rëndësi kësaj dynjaje dhe plotësimit të dëshirave të tij të shfrenuara. Ai nuk ka për t’u ngopur kurrë me këto kënaqësi, por do të kërkojë gjithmonë qejfe të reja.
– “Të tillë janë ata që i mohojnë Shenjat Tona.” – Ata i mohojnë faktet dhe shpalljet e Allahut të Lartësuar, edhe pse Ai i ka bërë të qarta dhe të kuptueshme. Ata i konsiderojnë si gjëra të parëndësishme dhe i hedhin pas shpine. Për këtë shkak, edhe Allahu i Lartësuar nuk ua jep më mundësinë që ta pranojnë fenë e Tij, pasi ata duan të ndjekin vetëm dëshirat e tyre.
– “Tregoju atyre historinë, që ata të mendojnë!” – Rrëfejua këto histori, me shpresë që ata të meditojnë dhe të nxjerrin mësime prej tyre! Pa dyshim, nëse ata meditojnë, do të nxjerrin vërtet shumë mësime, e nëse kanë sinqeritet, do të dorëzohen dhe do të adhurojnë Allahun e Lartësuar ashtu siç e pëlqen Ai.