Select Page

– “Kujto kur Zoti Yt nxori nga shpina e bijve të Ademit pasardhësit e tyre. …” – Allahu bëri që njerëzit të jenë pasardhës të njëri-tjetrit, duke lindur brez pas brezi dhe shekull pas shekulli. Ai i nxori në dritë nga shpina e baballarëve të tyre dhe pastaj nga barku i nënave të tyre.

– “… dhe i bëri të dëshmojnë, duke u thënë: “A nuk jam Unë Zoti juaj?”” – Allahu i bëri që ata të dëshmonin se Ai është Zoti, Sunduesi, Krijuesi, Furnizuesi dhe Ai që përmirëson dhe rregullon çështjet e tyre. Allahu i Madhëruar vendosi thellë në natyrën e pastër të njeriut këtë lloj besimi. Njeriu është i brumosur me besimin e pastër dhe të natyrshëm se Allahu është Zoti, Krijuesi, Sunduesi, Mbretëruesi dhe Ai që përkujdeset për ta. Ky besim është ngulitur thellë në ndërgjegjen dhe në natyrën e njeriut. 56 Atëherë, njerëzit e pranuan dhe dëshmuan për vërtetësinë e këtij fakti, duke thënë:

– “Po, – thanë ata, – dëshmojmë për këtë.”.” – Allahu i Lartësuar e ka bërë natyrën e pastër të robërve  të Tij të tillë që ata ta besojnë Atë drejt, pa bërë idhujtari. Çdo njeri lind me natyrshmërinë e pastër islame, me besimin në një Zot të vetëm dhe nënshtrimin ndaj Tij. Porse natyra e njeriut mund të ndryshojë me kohë, për shkak të rrethanave të tjera. Kështu, të gjithë pasardhësit e Ademit, me natyrën e pastër që i ka krijuar Zoti, dëshmojnë për monoteizmin e pastër, ashtu siç ishte mesazhi dhe misioni i profetëve.

– “Atëherë, mos thoni Ditën e Kijametit: “Ne s’kemi ditur gjë për këtë.”” – Nëpërmjet profetëve, Ne kërkuam prej jush që të pranoni dhe pohoni këtë besim të pastër, që ndodhet në natyrën tuaj, në mënyrë që ju të mos e mohoni një gjë të tillë Ditën e Gjykimit, duke gjetur justifikime. Ditën e Gjykimit ju nuk do të mund të pretendoni se nuk ju erdhi asnjë argument nga Allahu i Lartësuar dhe se nuk patët asnjë fakt që t’ju tregojë e udhëzojë për besimin e drejtë. Allahu i ka sjellë argumentet e Tij të qarta, që të mos thoni: “Ne nuk dinim gjë për këtë.”. Kështu nuk do të mund të mbroheni para Allahut të Lartësuar.

56 Një hadith i saktë nga Profeti (a.s.), që gjendet te Buhariu dhe Muslimi, thotë: “Çdo fëmijë lind në natyrshmërinë e pastër, – e sipas një transmetimi tjetër: “…në këtë fe” –  por prindërit e kthejnë në çifut, në të krishtërë ose zjarrputist.”