Select Page

– “Kujto kur Ne e ngritëm malin mbi ta, sikur të kishte qenë një re, aq sa ata menduan se do të binte mbi ta! …” – Kur ata refuzuan porositë dhe ligjet e Teuratit, Allahu i Madhëruar ngriti mbi ta një mal, si një re gjigande në qiell. Me këtë kërcënim mbi krye, Allahu i Madhërishëm  i urdhëroi ata që të zbatonin të gjitha udhëzimet e Librit të Tij.

– “Ne u thamë: “Zbatojeni atë që ju kemi dhënë me kembëngulje…” – Merreni, zbatojeni dhe jetoni sipas normave që kemi caktuar Ne. Zbatojini ato me përkushtim dhe seriozitet!

– “… dhe kujtoni çfarë ka në të (në Libër), …” – Bëjeni këtë duke e studiuar me kujdes Librin e Allahut dhe duke medituar rreth tij, me dëshirën për ta jetësuar atë!

– “… që të bëheni të devotshëm!”” – Nëse veproni dhe jetoni sinqerisht sipas normave e porosive të Zotit, pa dyshim që do ta arrini devotshmërinë. Nëse e trajtoni Shpalljen me seriozitet dhe përkushtim, do të jeni të shpëtuar nga ndëshkimi dhe zemërimi i Allahut të Lartësuar.