Select Page

– “Pas tyre erdhën të tjerë, që trashëguan Librin, …” – Brezat më vonë trashëguan Librin e Zotit, prandaj do të duhej që populli të kthehej te mësimet hyjnore të këtij Libri. Por, në të vërtetë, ata filluan të ndryshonin tekstin dhe përmbajtjen e Librit, sipas dëshirave të tyre. Ata po kërkonin të pasuroheshin përmes fetvave që jepnin, duke ndryshuar fenë e tyre. Atëherë filloi të përhapej në masë ryshfeti, saqë Allahu i Lartësuar thotë për ta:

– “… por që zgjodhën për vete stolitë e pavlera të kësaj bote dhe thoshin: “Do të na falet (gjithçka).”” – Ata e pranonin që e kishin gabim, prandaj thoshin: “Do të na falet”. Ata bënin gjynahe, pastaj thoshin më kot: “Do të na falen këto që bëjmë”, pa patur asnjë garanci prej Allahut të Lartësuar. Në fakt, qëndrimi i tyre nuk mund të konsiderohej si pendesë e sinqertë për gabimet, sepse po të ishte ashtu, ata do të vendosnin e do të zotoheshin që të mos i përsërisnin më ato gjynahe.

– “Por kur u vinte ndonjë kotësi tjetër e ngjashme, ata përsëri shkonin pas saj.” – Kur u vinte përsëri rasti për të bërë gjynah, që ata e pëlqenin, përsëri e bënin dhe përsëri thoshin të njëjtat fjalë. Në këtë mënyrë, ata shpërfillën normat e Allahut dhe i shitën për gjëra të vogla të kësaj bote. Ata hodhën tutje ndershmërinë e mirësinë që ofron Allahu i Lartësuar, duke parapëlqyer atë që është e ulët dhe poshtëruese për dynjanë dhe për ahiretin. Duke i qortuar për padrejtësinë që bënin, Allahu i Lartësuar thotë:

– “A nuk janë zotuar ata në Libër që të mos thonë për Allahun asgjë tjetër veç së vërtetës dhe e patën studiuar mirë gjithçka në të?” – Si është e mundur që ata thonë të pavërteta rreth Allahut të Lartësuar?! Me gjithë zotimet e tyre, ata vazhdojnë të ndjekin dëshirat e tyre, duke rendur pas kësaj dynjaje. Ata vazhdonin me zullumet e tyre, ndërkohë që e kishin studiuar mirë Librin e Zotit. Kështu, ata e njihnin të vërtetën, por e kundërshtonin me vetëdije të plotë atë. Ata e kishin shumë të qartë se cila qe e drejta,  por sërish bënin ashtu si u donte qejfi.

Ky është një gjynah shumë më i rëndë sesa i atij që nuk di dhe gjykon nga padituria, prandaj edhe qortimi që u drejton Allahu i Lartësuar është më i rëndë e, sigurisht, ndëshkimi i tyre do të jetë më i ashpër. Kjo sjellje ishte tregues i mendjelehtësisë së tyre, pasi ata i jepnin përparësi jetës së kësaj bote, kundrejt ahiretit, që është i përjetshëm, siç thotë Allahu i Madhëruar:

– “Bota tjetër është më e mirë për ata që janë të devotshëm.” – Ahireti është shumë më i mirë për ata që tregohen të devotshëm, duke zbatuar urdhëresat e Allahut të Lartësuar. Ata largohen nga ushqimet e ndaluara dhe nga pasuria që fitohet me mënyra të padrejta. Ata i largohen ryshfetit, që merret për të dhënë një gjykim të padrejtë.

– “A nuk logjikoni?”” – A nuk keni logjikë, që të kuptoni se çfarë kërkon përparësi dhe çfarë duhet të shpërfillni?! Një mendje e shëndoshë gjykon drejt për sa i përket asaj se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe për njeriun. Ata që nxitohen në gjykim shikojnë vetëm në jetën e kësaj bote, e cila është e parëndësishme dhe shumë e shkurtër. Këtyre njerëzve u shpëtojnë mirësi të shumta, por, mbi të gjitha, ata do të privohen nga mirësitë e Xhenetit, pranë Allahut të Lartësuar. Ndërsa të mençurit janë ata që Allahu i Lartësuar i përshkruan: