– “Cakto për ne atë që është e mirë në këtë Botë dhe në Botën tjetër! …” – Mirësia për të cilën lutet Musai është dituria e dobishme, një furnizim i gjerë hallall dhe vepra të mira. Por të mirat nuk kërkohen vetëm për në dynja, por edhe për në ahiret. Të mirat e ahiretit janë ato që ka përgatitur Allahu i Lartësuar për të dashurit e Tij punëmirë në Xhenetin e përjetësisë.
– “… Ne jemi kthyer (të penduar) tek Ti!”” – Ne jemi kthyer me përunjësi drejt Teje, duke qenë të vetëdijshëm për mangësitë dhe gjynahet tona.
– “Ai tha: “Me ndëshkimin Tim godas atë që Unë dëshiroj, ndërsa mëshira Ime ka përfshirë gjithçka.” – Me ndëshkimin Tim godas atë që Unë dëshiroj prej atyre që kanë ndjekur rrugën e keqe e që e meritojnë zemërimin Tim. Ndërsa mëshira Ime ka përfshirë gjithçka prej botës së sipërme dhe të poshtme, të drejtët dhe gabimtarët, besimtarët dhe mohuesit.
Nuk ka ndonjë krijesë që të mos e ketë përfshirë mëshira e Allahut të Lartësuar dhe që të mos ketë shijuar mirësinë, dhuratat dhe bujarinë e Tij. Por mëshira e posaçme, e cila fal lumturinë e dynjasë dhe të ahiretit, u dhurohet vetëm atyre që kanë këto cilësi:
– “Atë (mëshirë) e kam caktuar për ata që janë të devotshëm, e japin zekatin …” – Mëshira e posaçme është për të devotshmit, që zbatojnë urdhëresat dhe ruhen nga gjynahet. Ajo është, gjithashtu, për ata besimtarë që japin zekatin, si shpenzim i detyrueshëm për ata që e meritojnë atë.
– “… dhe për ata që besojnë në argumentet Tona …” – Ata të cilët besojnë Shpalljet dhe argumentet e Zotit. Që besimi në Shpalljen dhe argumentet e Allahut të jetë i plotë, ai duhet të jetë i shoqëruar me një kuptim korrekt të tyre. Veç kësaj, është i domosdoshëm edhe zbatimi i tyre.
Gjithashtu, besimi i vërtetë dëshmohet me pasimin e rrugës së Profetit a.s, në të gjitha aspektet, të brendshme apo të jashtme, shpirtërore apo fizike, themelore apo dytësore. Një cilësi tjetër të atyre që meritojnë mëshirën e Allahut të Lartësuar është: