– “Kur Musai u kthye te populli i vet, i zemëruar dhe shumë i hidhëruar, tha: …” – Kur Musai u kthye dhe e pa popullin e tij në atë gjendje, u zemërua shumë. Ai, – paqja e Zotit qoftë me të! – ishte tepër xheloz për fenë e pastër dhe shumë i dhembshur e i butë me popullin e tij. Në këtë gjendje, ai u thotë atyre:
– “Shumë keq paskeni vepruar pas largimit tim!” – Sa keq më keni zëvendësuar pas ikjes sime! A nuk e kuptoni se kjo sjellje ju çon në ndëshkimin e përjetshëm?!
– “A kërkuat përshpejtimin e ndëshkimit të Zotit tuaj?” – Allahu i Lartësuar ju premtoi se do t’ju shpallte një libër, kurse ju nxituat për të plotësuar dëshirat tuaja të mbrapshta për idhujtari.
– “Ai lëshoi pllakat dhe e zuri të vëllanë për flokësh dhe e tërhoqi nga vetja.” – Në zemërim e sipër, Musai lëshoi pllakat në të cilat ishte shkruar Teurati dhe e kapi fort të vëllain prej flokësh dhe prej mjekre. Duke e tërhequr me zemërim drejt vetes, i tha: “Musai tha: “O Harun! Ç’të pengoi ty që të vije pas meje, kur pe se ata morën rrugën e gabuar? Mos vallë edhe ti e kundërshtove urdhrin tim?” Haruni tha: “O bir i nënës sime! Mos më kap as për mjekre, as për flokësh! Në të vërtetë pata frikë se do të thoshe: “I përçave beni israilët dhe nuk e respektove fjalën time?” [Ta Ha, 92 – 94].
– “Ai tha: “O bir i nënës sime! Popull i më mundi dhe gati më vrau!” – Për të zbutur zemrën e të vëllait, Haruni iu drejtua me fjalë të buta, duke i kujtuar nënën e tyre të përbashkët, por në fakt Haruni e kishte vëlla Musain nga nëna dhe nga babai. Ai i tha: “O bir i nënës sime, populli më mundi dhe gati më vrau. Ata më shpërfillën kur u thashë: “O populli im! Ju po sprovoheni me të (me viçin e gëdhendur). Nuk ka dyshim se Zoti juaj është i Gjithëmëshirshmi, prandaj ejani pas meje dhe bindjuni urdhrit tim!”. Ata i thanë: “Ne nuk do t’i ndahemi këtij adhurimi (të viçit) derisa Musai të kthehet te ne.”.” [Ta Ha 90, 91]. Kështu, ata jo vetëm që e shpërfillën, por gati sa nuk e vranë.
– “Mos bëj që të gëzohen armiqtë me fatkeqësinë time dhe …” – Mos më turpëro para armiqve tanë duke më qortuar dhe keqtrajtuar. Ata mezi presin që të shikojnë ndonjë mangësi apo problem tek ne.
– “… mos më shih si gjynahqar!”.” – Mos më trajto mua sikur të jem kriminel. Atëherë Musai u pendua për sjelljen e tij të nxituar, para se të dëgjonte justifikimin e të vëllait. Haruni kishte vepruar drejt dhe kishte bërë maksimumin për t’i penguar ata nga idhujtaria.