– “Ne i shkruam atij në pllaka urdhra të shumta, për të qenë këshillë dhe sqarim për çdo çështje. …” – Ne i shkruam në pllaka gjithçka për të cilën kanë nevojë njerëzit. Aty do të gjejnë inkurajim për të kryer vepra të mira dhe për t’u larguar nga veprat e këqija. Shpallja është shtjellim i plotë i dispozitave ligjore, normave të besimit dhe i virtyteve të larta.
– ““Zbatoi këto me përkushtim dhe urdhëroje popullin tënd që të zbatojë më të mirat porosi!” – Allahu i Lartësuar e urdhëroi që ta pranonte Shpalljen me forcë dhe qëndrueshmëri, me vullnet për ta zbatuar plotësisht atë. Gjithashtu, Musai duhet të urdhëronte popullin që të merrte më të mirat e asaj Shpalljeje, duke iu bindur të gjitha porosive, qofshin ato të detyrueshme, qofshin të pëlqyeshme, që e kënaqin Allahun e Lartësuar. Kjo tregon se të gjitha porositë e Allahut të Madhëruar janë të plota, të drejta dhe të mira.
– “Unë do t’jua tregoj vendbanimet (rrënojat) e të pabindurve.”. – Pasi i shkatërroi ata, Allahu i Lartësuar bëri që vendbanimet e tyre të mbeteshin, si mësim për ata që do të vinin më pas. Në fakt, të vetmit që nxjerrin mësim nga këto histori janë besimtarët e vërtetë, që janë modestë e të bindur.