– “Ndërsa popullit të përvuajtur i lamë në trashëgim viset lindore dhe perëndimore të tokës ku zbritëm bekimet Tona.” – Këtu flitet për Misirin ose Egjiptin e sotëm. Ishte pikërisht ai vend i bekuar, ku populli jetonte i poshtëruar nën tiraninë e Faraonit, që Allahu i Lartësuar ua la ta trashëgonin besimtarët e mirë.
– “Kështu u plotësua premtimi i mirë i Zotit ndaj bijve të Izraelit, për durimin që ata treguan.” – Të gjitha këto ishin si shpërblim i madh nga Allahu i Lartësuar për durimin dhe bindjen ndaj profetit Musa, i cili u tha: “Kërkojini ndihmë Allahut dhe bëni durim! S’ka dyshim se toka është e Allahut dhe Ai ua lë në trashëgim atyre robërve të Tij që Ai dëshiron. Përfundimi i lumtur u takon të devotshmëve”. Gjithashtu, ai u tha: “Mundet që Allahu ta shkatërrojë armikun tuaj dhe t’ju bëjë ta zëvendësoni në këtë vend e pastaj do t’ju vështrojë se si do të veproni”.
– “Ne e rrënuam çfarë kishte bërë Faraoni dhe populli i tij dhe kullat që kishin ndërtuar.” – Allahu i Lartësuar shkatërroi gjithçka që kishte ndërtuar Faraoni dhe njerëzit e tij. Shtëpitë e tyre luksoze u braktisën, për shkak të krimeve dhe mosbesimit në Allahun e Lartësuar. Sigurisht, këto janë fakte për çdo njeri që beson, siç thotë Allahu i Lartësuar në një ajet tjetër: “Këto janë gërmadhat e shtëpive të tyre. Ata u shkretuan për shkak të padrejtësive të tyre. Nuk ka dyshim se në gjithë këtë (ndodhi) ka argument për njerëzit që kuptojnë.” [Neml 52].