– “Përveçse nëse pendohet, beson (me besimin e drejtë) dhe bën vepra të mira. …“ – Ata që pendohen nga këto gjynahe e të tjera dhe heqin dorë menjëherë nga ato, duke shprehur pendesë për atë që ka shkuar dhe kanë vendosur që të mos u kthehen më atyre gjynaheve. Së dyti, “…besojnë”. Pra, ata besojnë Allahun me një besim korrekt dhe të saktë, gjë që nënkupton largimin nga gjynahet dhe përmbushjen e urdhrave të Zotit. Së treti: “… bëjnë vepra të mira…”. Të tilla janë veçse ato punë që i ka urdhëruar Sheriati të kryhen, duke synuar veçse kënaqësinë e Zotit. Këtyre njerëzve, Allahu i Lartësuar u premton diçka të mrekullueshme:
– “Këtyre Allahu ua shndërron të këqijat në të mira.“ – Veprat dhe fjalët e tyre, që ishin gjynahe, tashmë shndërrohen në fjalë dhe vepra të mira, që sjellin sevape dhe bindje ndaj Zotit. Kështu, shirku i tyre shndërrohet në iman të pastër e korrekt, veprat e këqija e mosbindja shndërrohen në mirësi dhe bindje ndaj Zotit. Gjithashtu, të gjitha punët e këqija u shndërrohen në të mira, nëse për çdo punë të keqe që robi ka bërë është penduar dhe ka bërë punë të tjera të mira, të cilat i fshijnë të këqijat. Kjo kuptohet qartë nga ajeti. Në këtë lloj kuptimi është sjellë edhe një hadith, ku flitet për një burrë, të cilin Zoti e mori në llogari për disa nga gjynahet e Tij dhe ia numëroi ato. Pastaj ia zëvendësoi çdo punë të keqe me një punë të mirë. Atëherë njeriu i thotë: “O Zoti im! Unë kam bërë të këqija, të cilat nuk i shoh këtu!” Allahu është më i ditur për gjithçka.
– “Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.“ – Ai është Gafuran – Falësi më i Madh. Allahu i fal të gjitha gjynahet, edhe ato më të mëdhatë, nëse robi pendohet e nënshtrohet të kthehet tek Ai. Allahu është Rrahim – Mëshirëplotë, për robërit e Tij adhurues, sepse i fton ata që të pendohen, edhe pse ata e kanë tepruar me gjynahe të mëdha, pastaj u jep sukses që të pendohen, dhe pastaj e pranon pendimin e tyre.