Select Page

– “Musai i tha popullit të vet: “Kërkojini ndihmë Allahut dhe bëni durim!” – Në një gjendje të tillë, kur ishin tepër të dobët për të arritur ndonjë gjë, Musai këshillon njerëzit e tij, duke u thënë: “Kërkojini ndihmë Allahut! Mbështetjuni Allahut për të arritur suksesin dhe për të shpëtuar nga fatkeqësitë! Pastaj jini të sigurt se ndihma e Tij do të vijë dhe ju do të fitoni. Porosia tjetër ishte: “…dhe bëni durim!”, domethënë, bëni durim kundrejt gjithçkaje që do të ndodhë me ju, duke pritur çlirimin e shpëtimin!

– “S’ka dyshim se toka është e Allahut, që ua lë në trashëgim atyre robërve  të Vet, që Ai dëshiron. Përfundimi i lumtur u takon të devotshmëve.”. – Toka është e Allahut, jo e Faraonit dhe as e palës së tij, ku ata mund të veprojnë si të duan. Allahu ua lë në trashëgim tokën atyre robërve  të Tij  që Ai dëshiron. Në bazë të dëshirës dhe urtësisë së Tij, Ai e lë tokën në sundimin e popujve të ndryshëm.

Megjithatë, përfundimi i mirë dhe fitorja do të jenë gjithmonë për të devotshmit. Edhe nëse sprovohen kur Allahu i Madhëruar, me urtësinë e Tij, dëshiron t’i  vërë në provë, ata vazhdojnë të jenë të qëndrueshëm dhe, në mënyrë të pasmangshme, fitorja do t’u takojë atyre. Përfundimi i mirë do t’u takojë atyre, mes popujve ku jetojnë. Kjo është detyra e njeriut: të përpiqet me çdo rrugë të lejuar, që të ruhet nga dëmi që mund t’i  shkaktojnë të tjerët. Por, nëse nuk ka mundësi, atëherë duhet të bëjë durim dhe t’i  mbështetet Allahut të Madhëruar, duke e lutur për shpëtim nga e keqja.