Select Page

– “Paria e popullit të Faraonit tha: “A do t’i lejosh Musanë dhe njerëzit e tij që të sjellin shkatërrim në tokë dhe të të braktisin ty e zotat e tu?”.” – Sipas tyre, Musai po shkaktonte trazira, duke i ftuar njerëzit në fenë e vërtetë të Zotit. Në sytë e tyre, morali i lartë dhe veprat e mrekullueshme që mësonte Musai ishin shkatërrim, prapambetje e destabilizim. Nuk e shihnin ata të mjerë se e gjithë mirësia ishte në mesazhin e Musait, ndërsa ata dhe ajo që ata mbronin ishte vetë shkatërrimi?

Zullumqarët nuk pyesin për të zbuluar të vërtetën dhe as i japin rëndësi asaj që thonë. Ata mbrojnë me fanatizëm të verbër vetëm atë që u zbukuron epshi, prandaj edhe mbështetësit e Faraonit i thanë udhëheqësit të tyre: Si i lejon ata të të braktisin ty dhe idhujt e tu?! Si i lejon që të rebelohen dhe të mos i nënshtrohen madhërisë suaj?! Duke iu përgjigjur çmendurisë së tyre, Faraoni tha:

– “Ai tha: “Do t’ua mbysim djemtë, ndërsa femrat do t’i lëmë të gjalla. Kështu do të vazhdojmë të jemi sundues të tyre”.” – Në këtë mënyrë, Faraoni besonte se do ta linte popullin e Musait në një gjendje të mjerë, që të mos shumoheshin dhe të mos përbënin rrezik për ta. Duke u vrarë meshkujt, ata nuk do të kishin fuqi t’i luftonin, ndërsa gratë do të bëheshin shërbyeset e tyre.