– “Dhe është Ai, që i lëshon Erërat si lajmëtare për gëzim përpara se të vijë mëshira e Tij (shiu).“ – Allahu është i vetmi që mëshiron krijesat e Tij. Ai u dërgon erërat si paralajmërim për ardhjen e mëshirës së Tij. Nëpërmjet erërave, mblidhen retë dhe bashkohen, e kështu fillojnë të zbresin pikat e shiut, me urdhrin e Atij që kujdeset për gjithçka dhe rregullon çdo çështje. Atyre u vjen paralajmërimi për shiun me aq butësi dhe bukuri.
– “Dhe Ne lëshojmë ujë të pastër prej qiellit, …“ – Ky ujë pastron prej papastërtisë rituale dhe asaj fizike, pra, i pastron njerëzit prej papastërtive e ligësive. Allahu i Lartësuar e lëshon shiun, gjithashtu, që të ngjallë tokën pas vdekjes së saj. Kur bie shiu, toka merr jetë, sepse mbi të dalin bimët e pemët plot fruta, nga të cilat hanë njerëzit dhe kafshët.