Select Page

– “E kur të shohin ty, të marin vetëm për tallje: “A ky është ai që Allahu e dërgoi si profet?” – Kur mohuesit e së vërtetës dhe armiqtë e shpalljeve të Allahut, të cilët sillen me arrogancë dhe mendjemadhësii në tokë, të shohin ty, ata fillojnë të tallen dhe të nënçmojnë, duke thënë: “A ky është ai që Allahu e dërgoi si profet?” Pra, sikur thoshin: është e papërshtatshme dhe jo e gjetur që Zoti të dërgojë profet një njeri si Muhamedi a.s. Por ky ishte produkt i padrejtësisë dhe inatit të madh që kishte mbushur zemrat e tyre,  saqë çdo gjë e shihnin mbrapsht. Sipas mendimit të tyre, – Allahu i poshtëroftë! – Profeti ishte shumë i përçmuar dhe i pavlerë, prandaj dhënia e profetësisë dikujt tjetër do të ishte më e përshtatshme.

Në një ajet tjetër thuhet: “Pastaj (mohuesit kurejshë) thanë: “Përse të mos i zbriste ky Kur’an një njeriu të madh (me famë) në këto dy qytete (Meke dhe Taif)?!” Mos, vallë, janë ata që përcaktojnë mëshirën e Zotit tënd?! Ne kemi përcaktuar për ta se si do të jetojnë në këtë botë. Ne i kemi ngritur disa më lart se të tjerët, që të përfitojnë me shërbimet ndaj njëri-tjetrit. Mëshira e Zotit tënd është shumë më e vlefshme sesa çfarë grumbullojnë ata.” [Zuhruf 31].

Sigurisht, këto lloj fjalësh burojnë nga njerëzit më injorantë dhe të padrejtë, ose nga ata që janë të mbushur me inat dhe shpërfillin të drejtën, duke pasur si synim të vetëm cenimin e së vërtetës dhe mbizotërimin e kotësisë. Nëse do të mendonin pak për cilësitë dhe sjelljen e Muhamed ibn Abdullahit (a.s), do ta shihnin qartë se ai ishte një burrë i madh plot vlera dhe virtyte të larta, i pakrahasueshëm në logjikë, në arsyen e shëndoshë e mendjen e mprehtë, i pashembullt dhe i paarritshëm në moralin e lartë dhe shijen e hollë, i rrallë në ndershmërinë, trimërinë dhe bujarinë e tij.

Ai i kishte të gjitha cilësitë e vyera. Atë mund ta urrente dhe përçmonte veçse një injorant dhe dështak i pashembullt, një mendjelehtë e kontradiktor, një i padrejtë dhe armiqësor. Mjafton si tregues i injorancës së dikujt fakti që ai cenon dhe nënçmon figurën e këtij Profeti madhështor, të urtë, të nderuar dhe fisnik. Në fakt, qëllimi i tyre me talljen dhe përçmimin e Profetit ishte këmbëngulja dhe ngurtësia në kotësinë e tyre dhe mashtrimi i mendjelehtëve, për t’i larguar nga rruga e tij (a.s).