– ”Unë jam një Profet i besuar, i dërguar (veç) për ju.” – Unë jam një profet i dërguar nga Zoti e Krijuesi juaj. Ai më dërgoi tek ju, që t’ju ftoj me butësi dhe dashuri, si mëshirë e përkujdesje për ju. Atëherë, respektojeni dhe jini mirënjohës për këtë mëshirë. Pranojeni përkujdesin dhe mëshirën e Tij, duke u nënshtruar që ta adhuroni e ta jetoni jetën siç Ai kënaqet. Unë jam një profet besnik dhe ju e njihni mirë besnikërinë dhe sinqeritetin, dhembshurinë dhe dëshirën time të mirë për ju. Kjo duhet të shërbejë që ju të më besoni dhe të besoni atë që unë ju kam sjellë nga Zoti.