– “Ne u thamë: “Dilni prej tij (Xhenetit) që të gjithë! – Allahu i Lartësuar përsëriti, përmendjen e zbritjes në tokë të dy të rëndësishmëve, për të njoftuar krijesat për atë që i pret ata në vendbanimin e tyre të ri (në tokë). Thotë i Madhëruari:
– “Juve, pa dyshim, do t’ju mbërrijë udhëzim prej Meje.” – Kuptimi: Në çdo kohë e në çdo periudhë, do t’ju vijë prej Meje udhëzim i qartë. Udhëzimi do të vijë nëpërmjet profetëve dhe librave që do t’u shpallen atyre. Në çdo kohë, juve do t’ju vijë ndonjë profet dhe shpallje prej Meje, që t’ju udhëzojë në rrugët e afrimit tek Unë dhe në rrugët e kënaqësisë Time. Atëherë, dijeni se:
– “Çdokush që pranon udhëzimin Tim, nuk do të ketë frikë e as nuk do të brengoset.” – Kuptimi: Çdokush prej jush që e pranon udhëzimin Tim, dhe këtë pranim e interpreton duke i besuar të dërguarit dhe librat e Mi, ka një premtim të pakthyeshëm. Secili prej jush që udhëzohet nga mësimet e tyre, me fjalë të tjera, çdokush që i beson si duhet profetët dhe librat e Mi, ka një premtim të mrekullueshëm. Por çfarë quhet besim i drejtë? Një besim i drejtë kërkon plotësimin e dy kushteve:
1. Pohimin dhe besimin larg çdo dyshimi të të gjitha informacioneve që kanë ardhur nëpërmjet librave dhe profetëve.
2. Zbatimin me rigorozitet të urdhrave dhe largimin nga ndalesat, të cilat janë sqaruar nga profetët dhe janë porositur në ato libra.
Çdokush që i beson profetët dhe librat në këtë mënyrë të drejtë, ka një premtim prej Allahut të Lartësuar, që thotë: “…nuk do të ketë frikë e as do të brengoset.” Ndërsa në një ajet tjetër, dhe pikërisht në ajetin 123 të sures Ta Ha, thuhet: “Ai (Allahu) u tha: “Zbritni prej tij (Xhenetit) që të gjithë! Ju do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Nëse ju vjen nga Unë udhëzim (libër e profet), atëherë kush i përmbahet udhëzimit Tim, ai nuk ka për të humbur, e as nuk ka për t’u trishtuar”. Kështu, Allahu i Lartësuar ka premtuar katër gjëra për ata që ndjekin udhëzimin e Tij:
1. Ata do të jenë të ruajtur nga frika.
2. Ata do të jenë të ruajtur nga mërzitia dhe brenga.
3. Ata do të jenë të ruajtur nga humbja dhe devijimi.
4. Ata do të jenë të ruajtur nga trishtimi.
Për ta nuk do të ketë as frikë e as brenga. Ndryshimi mes këtyre dy gjendjeve qëndron në faktin se diçka e keqe dhe e papëlqyeshme, nëse ka kaluar, sjell brengë (el ĥuzn) në shpirtin tënd. Ndërsa kur ajo pritet të ndodhë, shkakton frikë (el ħauf). E pra, për ata që ndjekin udhëzimin e Allahut nuk ka frikë dhe as brengosje. Madje ata do të shijojnë të kundërtat e këtyre gjendjeve, duke qenë gjithnjë të sigurt dhe të qetë.
Gjithashtu, kush ndjek udhëzimin e Tij nuk ka për të humbur a devijuar dhe nuk ka për t’u trishtuar. Përkundrazi, ai do të përjetojë të kundërtat e këtyre gjendjeve: ai do të jetë i udhëzuar dhe gjithnjë i lumtur. Përfundimisht, njerëzit që ndjekin udhëzimet e Allahut kanë për të shijuar qetësinë, sigurinë, prehjen dhe lumturinë, si në këtë jetë, edhe në jetën tjetër. Vetëm ata mund të quhen të udhëzuar në rrugën e drejtë. Të udhëzuarit nuk përjetojnë asnjë lloj frike dhe brenge. Ata nuk shkelin në ndonjë rrugë të humbur dhe nuk e provojnë trishtimin e përjetshëm. Këta do të arrijnë gjithçka që dëshirojnë dhe do të jenë të shpëtuar nga gjithçka së cilës i druhen dhe të cilën nuk e duan.