– “Pastaj Ademi, prej Zotit të vet, mësoi disa fjalë (lutjeje)” – Pra, Ademi (a.s) mësoi disa fjalë e lutje, me të cilat e frymëzoi Allahu i Lartësuar. Këto fjalë ishin: “Rab-benâ dhalemnâ enfusenâ ue in lem tagfir lenâ ue terĥamnâ le nekûnen-ne minel ħâsirin! “Ata të dy (Ademi dhe Havaja) thanë: “Zoti ynë, ne i bëmë dëm vetes sonë.
Nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne me siguri do të jemi të humbur!” [Araf 23]. Kështu, Ademi (a.s.) e pranoi gabimin që bëri dhe i kërkoi Allahut të Lartësuar që këtë gabim t’ia mbulonte dhe t’ia falte. Përgjigjja ishte:
– “… dhe Ai ia pranoi pendimin. Ai është Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti.”. – Pra, Allahu i Lartësuar e pranoi pendesën e Ademit (a.s) dhe e mëshiroi atë. Ai është Mëshirëplotë (Raĥîm) ndaj adhuruesve të Tij. Prej mëshirës së tij është edhe suksesi që Ai u jep robërve për t’u penduar, duke i falur dhe duke ua mbuluar të metat e tyre. Pranimi i pendimit prej Allahut kuptohet në dy mënyra:
1. Me anë të suksesit për t’u penduar.
2. Me anë të plotësimit të kushteve të pranimit të tij.