– ”Është Ai që ka krijuar qiejt e Tokën dhe që lëshon për ju shi nga qielli.” – Kush i krijoi qiejt, Tokën dhe ç’ka mes tyre, si Diellin, Hënën, yjet, melekët? Po tokën, malet, detet e oqeanet, lumenjtë, pemët e çdo krijesë në të?
– ”Ne bëjmë që me të (ujin) të lulëzojnë kopshte të bukura.” – Për ju dhe për të mirën tuaj, Ai zbriti nga qielli ujin, nëpërmjet të cilit dalin kopshte të bukura me pamje të mrekullueshme e të mbushura me pemë të ndryshme, plot fruta të larmishme.
– ”Për ju do të ishte e pamundur që ta bënit bimësinë që të mbijë (e të rritet).” – Sikur mos të ishte mëshira dhe mirësia e Allahut nëpërmjet shiut që ju lëshon, ju nuk do të mund ta kishit këtë mirësi.
– ”A ka ndonjë zot tjetër (që meriton adhurimet) përveç Allahut?” – A ka mundësi që, pas gjithë këtyre veprave madhështore të Zotit, ju përsëri të adhuroni dikë tjetër veç Allahut?!
– ”Jo. Por ata janë një popull që dredhon (nga e vërteta).” – Ata devijojnë dhe marrin të barabartë me Zotin idhuj të krijuar, edhe pse e dinë mirë se Allahu është i vetmi Krijues i botës të sipërme dhe të poshtme dhe Ai që e zbret furnizimin e krijesave. Mos, vallë, këta idhuj që janë të mangët e të varfër e nevojtarë nga çdo aspekt dhe as nuk mund të sjellin ndonjë dobi apo të furnizojnë janë më të mirë, apo është Allahu i Lartësuar?