– ”Pastaj i thanë: “Hyr në pallat!”. Kur e pa atë (dyshemenë e kristaltë), mendoi se ishte ujë (që dallgëzonte), prandaj i zbuloi kërcinjtë e saj (duke ngritur fustanin). – Kur u fut brenda, Belkisa pandehu se po ecte mbi ujë, sepse dyshemeja ishte xham i kristaltë dhe mund të shihje ujin poshtë saj, që rridhte. Për këtë shkak, ajo ngriti rrobën, aq sazbuloi kërcinjtë e saj, për t’u ruajtur nga uji.
Edhe kjo tregon për edukatën dhe maturinë e saj. Belkisa nuk refuzoi të hynte në pallat kur pa këtë gjendje, por me kujdes vijoi të ecte, sepse ajo e dinte mirë se ishte ftuar për ta nderuar. Ajo e dinte mirë se ky mbret madhështor kishte rregulluar çdo aspekt të pritjes së saj dhe asgjë e keqe nuk do të ndodhte. Kur ajo u fut në sallon, ai i tha:
– “Ky është pallat i shtruar me pllaka xhami të lëmuara.” – Është dysheme prej xhami të lëmuar, prandaj nuk ka nevojë që të ngresh rrobën dhe të zbulosh këmbët. Kështu, kur pa ato çudira dhe mësoi rreth profetësisë së Sulejmanit, Belkisa u pendua dhe u kthye nga kufri, në besimin e pastër dhe të natyrshëm. Ajo tha:
– “O Zoti im! Unë kam qenë vërtet e padrejtë ndaj vetes sime dhe tani, së bashku me Sulejmanin, po i dorëzohem Allahut, Zotit të Botëve!”. – Kjo është ajo që na ka treguar Allahu i Lartësuar rreth mbretëreshës së Sebeit dhe asaj çfarë ndodhi mes asaj dhe Sulejmanit. Ndërsa çdo zgjatim e hollësi tjetër rreth kësaj historie, që na vjen nga historitë e bijve të Izraeilit, nuk ka lidhje me tefsirin e Fjalës së Allahut.
Ato informacione pranohen veçse nëse shoqërohen me argumente të sakta nga Sheriati i Zotit. Në fakt, të gjitha ato histori, ose shumica e tyre, nuk janë të bazuara në argumente të sakta. Këshilloj që të bëjmë shumë kujdes që të mos fusim këto histori të pasigurta në tefsirin e Librit të Allahut të Lartësuar. Në fund, Allahu e di më mirë.