– ”S’ka dyshim se Ai që ta urdhëroi Kur’anin ty, Ai do të të kthejë ty në Vendin e Premtuar.” – Është Allahu i Lartësuar Ai që ta shpalli këtë Kur’an dhe ligjëroi në të dispozitat dhe ligjet e jetës dhe adhurimeve. Ai sqaroi hallallin dhe haramin dhe të urdhëroi që ta përcjellësh e përhapësh këtë të vërtetë ndër njerëz. Ai të urdhëroi t’i ftosh ata që të nënshtrohen për të jetuar sipas ligjeve e sistemit që Ai ka vendosur për të përgjegjshmit ligjërisht (njerëz e xhindë). Allahu është i Urtë dhe i Gjithëditur dhe urtësia e Tij nuk mund të lejonte që njerëzit të jetonin vetëm jetën e kësaj dynjaje dhe pastaj të vdisnin, dhe kështu të përfundonte çështja e tyre.
Ai kurrë nuk do të lejonte që njerëzit të mbeteshin pa u shpërblyer ose dënuar për veprat e tyre dhe mënyrës si jetojnë në këtë botë. Ai vendosi me urtësinë e Tij që të jetë një ditë e premtuar, kur njerëzit e xhindët do të ringjallen e tubohen për t’u marrë në llogari për jetën këtu. Atë ditë bamirësit do të shpërblehen me mirësitë e Tij të pafundme dhe punëkëqijtë do të ndëshkohen me drejtësinë e Tij të plotë. Atyre u është qartësuar udha e drejtë, ligjet dhe shpalljet nga Zoti i gjithësisë.
Nëse ata e pasojnë këtë, kjo është vetë lumturia e tyre. Por nëse zgjedhin të mos binden, të mohojnë të vërtetën dhe të trillojnë gënjeshtra për Shpalljen e Zotit, atëherë nuk ka vend më për polemikë. Nëse ata i japin përparësi kotësive dhe kënaqësive e tyre në këtë dynja, kundrejt të vërtetës dhe përjetësisë në ahiret, atëherë mbetet veçse që të presim shpagimin për punët e tyre nga Ai që është i Gjithëdituri për të fshehtën dhe të dukshmen, për të vërtetën dhe të kotën:
– ”Thuaj: “Zoti im e di më së miri kush është ai që sjell udhëzimin e vërtetë dhe kush është në humbje të sigurt”. – Dihet mirë se Profeti i Tij ishte i udhëzuari që orientonte në udhën e drejtë, ndërsa kundërshtarët dhe armiqtë e tij ishin të humburit dhe devijuesit e njerëzve nga rruga e drejtë.