Select Page

Në ajetet e mësipërme, Allahu i Lartësuar na tregoi për Karunin dhe pasuritë e shumta që i ishin dhënë dhe na tregoi përfundimin e hidhur ku e çoi vetëkënaqësia dhe mosmirënjohja. Ai na tregoi se dijetarët dhe të urtët, në lidhje me Karunin dhe pasurinë e tij, thanë: “Shpërblimi i Allahut është shumë më i mirë për ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira…”. Në vijim, Allahu i Lartësuar na inkurajon që të punojmë për ahiretin dhe na mëson rrugët se si arrihet shpërblimi i ahiretit. Ai thotë:

Botën tjetër (Xhenetin) Ne do t’ua japim atyre që nuk e duan mendjemadhësinë e as të këqijat në tokë.Ahireti është bota tjetër dhe shpërblimi i madh që Zoti ka premtuar në të dhe për të cilin na ka njoftuar mes profetëve dhe shpalljeve. Ai na ka njoftuar se në ahiret ka mbledhur çdo mirësi e bukuri dhe ka larguar prej atje çdo ligësi e lodhje. Ai na njofton se atë vend të bukur do ta bëjë vendqëndrim të përhershëm për një kategori njerëzish: “Ne do t’ua japim atyre që nuk e duan mendjemadhësinë e të këqijat në tokë.”

Vëreni me kujdes! Allahu i Madhëruar thotë se ata as që nuk e dëshirojnë padrejtësinë e mendjemadhësinë, e jo më ta kryejnë. Dëshirat, synimet, qëllimet dhe planet e tyre janë të lidhura ngushtë me Allahun, me drejtësinë e bamirësinë. Jo vetëm që nuk e duan padrejtësinë, arrogancën e tiraninë ndër njerëz, por synojnë mirësinë, modestinë, rregullimin dhe mirësinë për robërit e Zotit. Ata duan të vërtetën dhe janë të nënshtruar të punojnë sipas saj dhe për të. Ata synojnë ahiretin dhe i sheh gjthmonë të sillen me modesti e mirësjellje me robërit e Zotit. Ata i janë nënshtruar të vërtetës dhe bëjnë vetëm punë të mira. Këta janë të devotshmit, të cilëve do t’u takojë përfundimi më i mirë:

Fundi i mirë u takon atyre që i frikësohen Allahut.Këta të zgjedhur do të fitojnë çdo mirësi e do të shpëtojnë nga çdo e keqe, dhe kjo do të vazhdojë t’i shoqërojë gjithmonë ata, sepse ata iu frikësuan zemërimit dhe dënimit të Zotit, duke përmbushur mirësitë e Tij. Ndërsa të tjerët, edhe pse mund të ndodhë që të arrijnë ndonjë prestigj dhe rehati, ato i kanë të përkohshme dhe nuk zgjasin shumë. Nga ajeti kuptohet se ata që duan arrogancën dhe shkatërrimin në tokë nuk kanë për të pasur pjesë të mirash në jetën tjetër. Në ajetet në vijim, Allahu i Madhëruar na tregon për shumëfishimin e mirësive nga ana e Tij dhe për drejtësinë e Tij absolute. Ai thotë: