– ”Ndërsa ata të cilët luftojnë për lartësimin e Fjalës Sonë …” – Këta janë ata që emigrojnë për hir të Allahut dhe luftojnë armiqtë e besimit. Ata shpenzojnë çdo forcë e mundësi për kënaqësinë e Allahut dhe për lartësimin e fesë së Tij. Ata që luftojnë dhe përpiqen në këtë rrugë:
– ”Ne do t’i drejtojmë patjetër në rrugët Tona …” – Në ato rrugë që i sjellin tek Ne, sepse ata janë bamirës.
– ”… sepse, sigurisht, Allahu është me bamirësit.” – Zoti është me ata me ndihmën, fitoren dhe udhëzimin e Tij. Kjo tregon se njerëzit më të meritueshëm për t’ia qëlluar të vërtetës janë ata që përpiqen dhe përmbushin gradat e xhihadit. Atij që përpiqet të përmbushë me besnikëri urdhëresat e Zotit, Ai ka për t’ia lehtësuar rrugët e udhëzimit të plotë. Gjithashtu, ai që përpiqet dhe lodhet në kërkimin e diturisë fetare, atij do t’i mundësohet një udhëzim dhe ndihmë shumë e madhe për t’i arritur synimet e larta dhe diturinë rreth Zotit, shumë e shumë më tepër sesa do t’ia arrinte me lodhjen dhe mundimin e tij.
Atij do t’i lehtësohen rrugët e marrjes dhe nxënies së diturisë fetare. Nuk ka dyshim se kërkimi i diturisë fetare konsiderohet si xhihad në rrugën e Zotit, madje ai është një nga dy llojet e xhihadit, që e realizojnë veçse më të dalluarit dhe më të zgjedhurit e krijesave. Ky është xhihadi me dituri dhe fjalë kundër mohuesve dhe munafikëve. Ky është xhihadi për t’u mësuar njerëzve çështjet e fesë së tyre dhe për t’i treguar vendin dhe hedhur poshtë me fakte dyshimet dhe kundërshtitë e armiqve të së vërtetës, edhe sikur ata të jenë nga mesi i vetë muslimanëve.