Select Page

A nuk e shohin ata se Ne e kemi bërë atë (Mekën) një vend të shenjtë e të sigurt, kurse përreth saj, njerëzit rrëmbehen (plaçkiten dhe vriten)?Në këto ajete, Allahu i Lartësuar u tregon atyre mirësinë e madhe që ai u ka bërë në këtë vend të sigurt dhe të ruajtur. Ai i ka bërë ata që të jenë prijësit në këtë vend, ku mbizotëron siguria dhe rizku i bollshëm, ndërkohë që njerëzit dhe vendet rreth e rrotull janë të mbushur me frikë e pasiguri, sepse vriten nga luftërat e pasiguria. Pse nuk përkushtohen, që ta adhurojnë Allahun si një dhe të vetëm, Atë që i siguron e ruan nga çdo frikë, nga uria dhe pasiguria?

Atëherë, a po besojnë atë që është e kotë dhe të mirat e Allahut po i mohojnë?!Si është e mundur që të vazhdojnë me kotësinë e shirkut dhe të fjalëve e veprave të tyre të kota dhe të braktisin dhe mohojnë mirësinë e Allahut?! Ku shkuan mendja dhe logjika e tyre? Si ndodh që të parapëlqejnë humbjen, kundrejt udhës së drejtë dhe të sigurt të Zotit?! Përse parapëlqejnë kotësinë e të palogjikshmen, kundrejt të vërtetës dhe urtësisë? Përse zgjedhin dëshpërimin dhe fatkeqësinë dhe nuk zgjedhin lumturinë e mirësinë në të dyja jetët? Me këtë, ata tregojnë se janë krijesat më të padrejta dhe keqbërëse, siç thotë i Madhëruari: