Në këto ajete, Allahu i Lartësuar na tregon rreth gjendjes së dynjasë dhe ahiretit, duke na paralajmëruar që të ruhemi nga dynjaja dhe duke na inkurajuar të jemi asketë dhe të nxisim mallin e dashurinë për ahiretin. Ai thotë:
– ”Jeta e kësaj bote është veçse dëfrim e lojë …” – Kjo është e vërteta e kësaj jete. Ajo i trazon zemrat me stolitë e bukuritë e saj dhe angazhon trupin për të luajtur me të. Kështu ndikon dynjaja në zemrën dhe trupin e njerëzve, sepse Allahu ka vendosur në këtë dynja stoli e zbukurime, kënaqësi e joshje të shumta. Epshet e dëshirat e shfrenuara që kjo dynja e zbukuruar ofron arrijnë të pushtojnë ato zemra që i kanë kthyer shpinën besimit në Zot. Ajo arrin të verbojë me shkëlqimin dhe bukuritë e saj, sytë e atyre që janë të pavëmendshëm për ahiretin dhe as që e kujtojnë atë. Ajo arrin të nënshtrojë shpirtrat e të humburve dhe të mashtruarve, por shumë shpejt ajo do të fanitet dhe do të zhduket tërësisht.
Atëherë, ai që është i dashuruar pas saj ka për të provuar veçse pendesë, dëshpërim dhe trishtim. Ndërsa jeta tjetër është e plotë dhe pa të meta. Si e tillë, ajo jetë kërkon që trupat e atyre të lumturve të jenë në kulmin e fuqisë dhe gjallërisë, sepse ata do të krijohen për të jetuar përjetësisht. Si të tillë, ata kanë çdo gjë që e bën jetën të plotë dhe pa asnjë mangësi, në mënyrë që të shijojnë e përjetojnë të gjitha llojet e kënaqësive, si ato shpirtërore e të zemrës, ashtu edhe ato trupore, si ushqimi, pija, marrëdhëniet e kënaqësisë etj. Të gjitha këto lloje të kënaqësisë janë të atilla që as syri nuk i ka parë, as veshi nuk i ka dëgjuar dhe as mendja e robit nuk i ka përfytëruar dhe fantazuar kurrë.
– ”… kurse jetë e vërtetë është vetëm jeta e botës tjetër (ahireti), sikur ta dinin!” – Nëse do ta dinin dhe kuptonin, kurrë nuk do t’i jepnin përparësi dynjasë kundrejt ahiretit. Nëse do të kishin mend, kurrë nuk do të braktisnin jetën e plotë dhe të përjetshme, me kënaqësi të plota e të pashembullta, për të jetuar këtë jetë të shkurtër të mangët, që është thjesht një lojë e dëfrim i përkohshëm. Kjo tregon se ata që dinë dhe kanë logjikë i japin përparësi ahiretit kundrejt dynjasë, sepse kanë dituri të plotë rreth të dyja llojeve të jetës, si për dynjanë, ashtu edhe për ahiretin.