– ”Allahu i krijoi qiejt dhe tokën me një (qëllim) urtësi të madhe.” – Allahu i Lartësuar është i vetëm në krijimin e qiejve dhe të Tokës, me gjithë lartësinë, gjerësinë e thellësinë e tyre, me gjithë bukurinë dhe ato që ndodhen brenda dhe mes tyre, si Dielli, Hëna, yjet, melekët etj. Ai e krijoi edhe Tokën me gjithçka në të, malet, oqeanet, shkretëtirat, humnerat, pyjet e çdo gjallesë brenda saj. Të gjitha këto i krijoi me një qëllim dhe urtësi të madhe.
Ai nuk i krijoi kot, pa ndonjë qëllim e pa ndonjë dobi, por i krijoi që në to të zbatohet ligji i krijimit dhe ligji i Sheriatit të Tij. Ai krijoi çdo gjë në funksion të mirësisë dhe kompletimit të saj për njerëzit. Ai e krijoi ketë madhështi që njerëzit të mund të shohin urtësinë, pushtetin dhe administrimin e Tij të çdo gjëje që ekziston dhe kështu të binden dhe të jenë të sigurt që Ai është i vetmi që meriton dashurinë e plotë dhe të gjitha adhurimet e përkushtimet e tyre. Vetëm Ai duhet të jetë i Adhuruari, të Cilit duhet t’i përulen dhe ta madhërojnë dhe sipas vullnetit dhe ligjit të Tij të jetojnë.
– ”Në këtë (krijim) ka argumente për ata që besojnë.” – Në të gjenden argumente të shumta për qëllimet e larta dhe çështjet e rëndësishme të imanit. Nëse robi mediton për to, ka për t’u bindur plotësisht në çështjet e besimit të pastër dhe njësimit të Zotit.