– “Qëndro në pritje të ditës kur qielli të lëshojë një tym të qartë. Ai do t’i mbulojë njerëzit e ky do të jetë një ndëshkim i dhembshëm. “Zoti ynë! Largoje dënimin prej nesh! Ne tashmë jemi besimtarë.”” – Kuptimi: Prit ndëshkimin që do t’u vijë, sepse koha e tij është afruar. Një tym do t’i gllabërojë të gjithë ata, të cilëve do t’u thuhet: “Ky është një ndëshkim i dhembshëm”. Shpjeguesit e Kur’anit kanë mendime të ndryshme rreth kuptimit të këtij tymi të dukshëm, që do të vijë si ndëshkim. Disa thonë se flitet për tymin që do të përfshijë kriminelët Ditën e Gjykimit, atëherë kur zjarri i Xhehenemit do t’u afrohet atyre.
Me këtë kuptim, Allahu i Madhëruar i kërcënon ata me këtë ndëshkim, që do të ndodhë Ditën e Gjykimit dhe, njëkohësisht, e urdhëron Profetin e Tij që të presë me durim këtë ditë të vështirë për mohuesit. Ky kuptim është në përputhje me stilin e Kur’anit, që vazhdimisht kërcënon mohuesit dhe na porosit që të bëjmë durim, derisa të vijë dita e ndëshkimit të tyre. Edhe ky ajet, nga njëra anë, kërcënon mohuesit me ndëshkimin e Ditës së Gjykimit, që ata të kthehen në rrugën e drejtë dhe, nga ana tjetër, qetëson Profetin dhe besimtarët, duke i porositur ata që të jenë të durueshëm, se ndëshkimi i të padrejtëve, që i luftojnë dhe u shkaktojnë mundime, do të ndodhë patjetër dhe drejtësia do të vihet në vend. Këtë mënyrë shpjegimi e përforcon edhe vazhdimi i këtij ajeti, që thotë: