El ithm quhen të gjitha llojet e padrejtësive dhe gjynaheve ndaj Zotit, të cilat bëhen shkak për ndëshkimin e robit. Padrejtësitë mund të jenë ose ndaj Allahut të Lartësuar ose kundrejt robërve të Tij. Ato mund të kryhen haptas ose fshehtas. Allahu i Lartësuar i ndalon robërit e Tij që të kryejnë këto gjynahe, qofshin ato të hapta apo të fshehta, qofshin të kryera me trup e gjymtyrë, qofshin të kryera me zemër e shpirt.
Robi mund të largohet nga gjynahet e dukshme dhe të fshehta vetëm pasi të ketë njohur mirë se cilat janë gjynahet që kryhen me trup dhe me zemër. Ai duhet ta kërkojë këtë dituri me këmbëngulje dhe seriozitet, që të kuptojë se cilët janë kufijtë e Allahut të Lartësuar dhe që të arrijë të qëndrojë brenda tyre.
Njohja e kufijve të Allahut të Lartësuar, njohja e urdhrave dhe ndalesave të Tij, njohja e mjeteve, rrugëve dhe mënyrave se si plotësohen ato, është një detyrim për çdo rob të përgjegjshëm ligjërisht. Shumë njerëz nuk i njohin disa gjynahe, në mënyrë të veçantë ato gjynahet që kryhen nga zemra, si mendjemadhësia, vetëkënaqësia, syfaqësia hipokrizia etj. Ata mund të jenë të zhytur në këto gjynahe pa e kuptuar fare.
Kjo dëshmon për paditurinë dhe pakujdesinë e tyre të madhe. Allahu i Lartësuar na tregon se ata të cilët kryejnë gjynahe të hapura apo të fshehura do të trajtohen ashtu sikurse e meritojnë, në varësi të gjynaheve të tyre, të pakta ose të shumta. Ky ndëshkim do t’u jepet në ahiret, por Allahu i Lartësuar mund t’ua japë edhe në dynja, që ata të lehtësohen nga gjynahet e tyre para se të shkojnë në jetën tjetër.