– “Zoti yt e di më së miri se kush është larguar nga rruga e Tij dhe Ai e di më së miri se cilët janë të udhëzuarit.“ – Allahu është më i ditur se kush është i udhëzuar dhe udhëzues në rrugën e drejtë, prandaj është detyrë për ju, o besimdrejtë, që t’i dëgjoni me kujdes këshillat dhe udhëzimet e Tij, t’i përkushtoheni me pastërti zbatimit të urdhërave e largimit nga ndalesat e Tij. Allahu është më i dituri për atë që është në dobinë tuaj dhe më i mëshirshëm për ju sesa ju për veten tuaj.
Nga ky ajet kuptojmë se për të dëshmuar se cila është e vërteta nuk mjafton fakti që atë e mbështet shumica. Me fjalë të tjera, shumica e pasuesve të një çështjeje jo domosdoshmërisht tregon për saktësinë dhe drejtësinë e çështjes që ata pasojnë, ashtu sikurse pakica e pasuesve të një çështjeje nuk tregon se ajo është jo e drejtë dhe jo e vërtetë.
Madje mund të thuhet me bindje e kundërta. Pasuesit e të vërtetës janë më të pakët në numër, por janë më të mëdhenjtë dhe më të dashurit tek Allahu i Madhëruar, më të zgjedhurit dhe merituesit e shpërblimeve të Tij të mëdha. Mënyra e drejtë për të gjykuar e vlerësuar të vërtetën dhe të kotën është duke analizuar dhe vlerësuar rrugët që të çojnë në secilin përfundim.