– “Vallë, a të kërkoj gjykatës tjetër veç Allahut, …” – Thuaju, o i Dërguar: Vallë, a të kërkoj ligjvënës më të mirë se Allahu i Madhëruar? Ai është Ligjvënësi më i drejtë. Ai ka të drejtën që të vendosë ligjet, ndërsa ne jemi të urdhëruar që të zbatojmë urdhrat e Tij dhe t’u largohemi ndalesave të Tij. Vetëm Ai është Ligjvënësi, kurse të gjithë të tjerët janë të nënshtruar e të detyruar të zbatojnë ligjet e Tij.
Çdo ligj i vendosur nga krijesat është i destinuar të jetë i mangët, i dëmshëm, i cekët dhe i padrejtë. I vetmi që meriton të merret si ligjvënës është Zoti, i Cili është i Vetmi, i Pashoq e i Pashembullt. Vetëm Atij i takon krijimi dhe vendosja e ligjit, dhe vetëm Ai merr në përgjegjësi dhe shpërblen për zbatimin ose jo të tij.
– “… kur është Ai që jua zbriti Librin qartësues?” – Allahu e bëri Librin e Tij mufeŝ-ŝalen, domethënë sqarues dhe qartësues të hallallit dhe haramit, të dispozitave të Sheriatit, të themeleve të fesë e të degëzimeve të saj. Nuk ka fjalë më qartësuese sesa Fjala e Tij e nuk ka argument më të ëmbël e më të bukur sesa argumentet e Tij. Nuk ka gjykues e ligjërues më të mirë se Allahu e më fjalëmirë se Ai.
Ligjet e Tij janë garantuese të çdo mirësie dhe siguruese nga çdo e keqe. Ato përmbajnë urtësinë e plotë dhe mëshirën e gjerë dhe të pashembullt. Edhe ithtarët e librave të shkuar, jehudët e të krishterët, e dinë shumë mirë këtë fakt, edhe pse e fshehin, siç thotë i Lartësuari:
– “Ata të cilëve u kemi dhënë Libër, e dinë mirë se ai (Kur’ani) është zbritur prej Zotit tënd me të vërtetën. Prandaj mos u bëj prej atyre që dyshojnë!“ – Çfarë thuhet në Libër është e vërtetë dhe e sigurt, prandaj të mos kesh asnjë dyshim rreth saj. Pastaj i Madhëruari përshkruan me hollësi madhështinë e Shpalljes së Tij, duke thënë: