Select Page

– “Është Ai që e lëshon ujin nga qielli dhe me të nxjerr bimësi të të gjitha llojeve.” – Një nga mirësitë më të mëdha të Allahut të Madhëruar është shiu, për të cilin kanë nevojë të domosdoshme njerëzit dhe të gjitha gjallesat. Allahu i Madhëruar zbret ujë nga qielli në mënyrë të vazhdueshme, sa herë që njerëzit kanë nevojë. Nëpërmjet këtij uji, Allahu i jep jetë çdo gjëje që u nevojitet krijesave. Me mirësinë e Allahut, krijesat largojnë etjen, gjejnë qetësinë, gëzohen dhe rehatohen. Me përkujdesjen e Zotit, largohet thatësia, frika e pasiguria.

Me mëshirën e Atij që është Rraĥmân dhe Rraĥîm, vendin e frikës e zë siguria, varfëria zëvendësohet me pasuri, skamja me begati, prandaj njerëzit duhet të angazhohen sinqerisht për t’i shprehur mirënjohjen e plotë Atij, t’i përkushtohen me adhurime e pendim të sinqertë, t’i shprehin dashurinë e madhërimin për Të. Pasi përmendi në mënyrë të përgjithshme bimësinë, që rritet dhe jeton nëpërmjet ujit që Ai e zbret nga qielli, Allahu i Madhëruar veçon drithërat dhe ushqimet bazë, si gruri, misri, elbi dhe hurmat, për dobinë e madhe që ato kanë. Ai thotë:

– “… Prej tyre Ne nxjerrim gjelbrim dhe drithëra me kokrra të dendura në kallinj.“ – Nga bima e gjelbër nxjerrim farëra ushqyese, si gruri, misri, elbi, orizi etj. Allahu i Madhëruar i përshkruan këto bimë si muterâkiben – të dendura e të vendosura njëra mbi tjetrën, për të treguar se ato janë të bollshme në lloje e kategori, por edhe në prodhimin që japin, pasi nga një farë dalin shumë të tilla, për të plotësuar nevojat për konsum të krijesave dhe për të mbetur një pjesë për mbjellje sërish, duke u ruajtur kështu lloji i farës.

Nga palma e hurmës dhe sythat e tyre dalin kalaveshë hurmash që varen poshtë.“ – Pemë plot sytha, që më vonë kthehen në fruta të mrekullueshme, të shijshme, që varen e shkojnë pranë atyre që duhet t’i konsumojnë. Edhe kur ato ndodhen lart, përsëri në trungun e pemëve ka degë të vogla, që e bëjnë më të thjeshtë ngjitjen në to.

– “Ne nxjerrim edhe kopshte me hardhi, ullinj e shegë, të ngjashme e jo të ngjashme.“ – Me ujin që zbret nga qielli, i Lartësuari bën kopshte të mbushura me rrush, ullinj e shegë, të përmendura në mënyrë të veçantë për dobinë e tyre, por edhe shumë pemë të tjera. Allahu i Lartësuar thotë se këto pemë janë “të ngjashme e jo të ngjashme”. Ka mundësi të jetë fjala për shegën dhe ullirin, që janë pemë të ngjashme për sa u përket trungut e gjetheve, por jo të ngjashme në frytet që prodhojnë e në shijen e tyre. Por ka mundësi që të flitet për të gjitha llojet e bimëve e pemëve, të cilat janë të ngjashme me njëra tjetrën në disa cilësi e të ndryshme në aspekte të tjera. Megjithatë, të gjitha janë të dobishme dhe të nevojshme për krijesat. Ato ushqehen e kënaqen me to, si edhe nxjerrin mësime nëse i studiojnë. I Madhëruari thotë:

– “Vështroni frutat e tyre, kur formohen e piqen!“ – Vështroni e studioni, me qëllim që të nxirrni mësime e të përfitoni. Shihni frutat e pemëve, dhe në mënyrë të veçantë hurmat, kur ato piqen dhe bëhen gati për vjelje. Ato janë shenja që tregojnë për mëshirën e gjerë të Allahut të Madhëruar, për bamirësinë e Tij gjithëpërfshirëse, për pushtetin e Tij absolut dhe përkujdesin e Tij të pakrahasueshëm për krijesat. Por jo çdokush mediton kështu dhe jo çdokush që mediton kupton urtësinë e vërtetë të çështjeve. Prandaj i Madhëruari e lidh ngushtë të kuptuarit e urtësive nga meditimi, me imanin e vërtetë. Ai thotë:

– “Në të gjitha këto ka Shenja për njerëzit që besojnë.“ – Është imani që i nxit dhe udhëzon besimtarët që të punojnë sipas rregullave të tij. Mes punëve që nxit imani i vërtetë është edhe përsiatja mbi ajetet e shenjat e Allahut në gjithësi, për të kuptuar urtësitë që fshihen pas tyre, qoftë me logjikë, qoftë duke u bazuar në natyrshmërinë e pastër, qoftë edhe sipas këndvështrimit të fesë.