– “Është Ai që i bëri yjet (të shndritshme) për ju që të orientoheni nëpërmjet tyre, nëpër errësirat e tokës dhe të detit.“ – Për udhëtarin që ndihet i humbur e nuk gjen dot drejtimin, Allahu i Madhëruar vendosi yjet në qiell si orientues. Kështu, ai vazhdon rrugën për të plotësuar nevojat e veta, si për tregti etj.
Disa yje shihen vazhdimisht, sikur nuk lëvizin nga vendi i tyre, ndërsa disa të tjerë i ndërrojnë pozicionet. Lëvizjen e këtyre të fundit e njohin dijetarët e kësaj fushe. Nëpërmjet tyre, ata përcaktojnë kohën, vendet, drejtimet e horizontit etj. Nga ky ajet e nga të tjerë të ngjashëm kuptojmë se është i lejuar mësimi e studimi i astronomisë, sepse kështu arrihet orientimi i saktë.
– “Vërtet, Ne i kemi shpjeguar me hollësi Shenjat Tona …“ – I sqaruam ajetet, duke i ndarë e shkoqitur veç e veç. Por për cilët u bënë të qarta ajetet e Tij? Përgjigjja:
– “ për njerëzit që dinë të mendojnë.” – Këta janë dijetarët dhe të urtët. Pikërisht këtyre u drejtohen ajetet dhe prej tyre pritet përgjigjja, ndryshe nga injorantët e vrazhdë dhe të ftohtë, të cilët u kthejnë shpinën ajeteve të Allahut dhe diturisë së sjellë nga profetët e Tij. Sqarimi i ajeteve nuk u vlen aspak atyre, nuk u zbardh ndonjë gjë të pakuptueshme, sepse ata thjesht i refuzojnë.