– “E kush është gjynahqar më i madh sesa ai që trillon gënjeshtra ndaj Zotit, ose thotë: “Mua më vjen Shpallje”, ndërkohë që nuk i shpallet asgjë …” – Allahu i Lartësuar na tregon se nuk ka padrejtësi më të madhe dhe krim më të shëmtuar se sa ai i atij që trillon gënjeshtra rreth Allahut dhe flet padrejtësisht, shpif e trillon besime e ligje në emër të Tij.
Këta flasin në emër të Zotit dhe pretendojnë se ajo është fjala dhe gjykimi i Zotit, ndërkohë që Allahu është i pastër dhe shumë larg atyre shpifjeve. Ky konsiderohet si krimi më i madh, sepse nëpërmjet tij ndryshohet si baza, ashtu edhe degëzimet e fesë së drejtë. Duke e paraqitur një rrugë të devijuar dhe të transformuar si një porosi të Zotit, ata sjellin shkatërrimin më të madh për krijesat. Ky është dëmi më i madh që mund të ekzistojë.
I tillë konsiderohet, për shembull, pretendimi i rremë i ndokujt se është profet dhe se Allahu i shpall atij mesazhe. Ai jo vetëm që tregon paturpësinë e vet që të shpifë rreth të Madhërishmit dhe të Plotfuqishmit, por u bën edhe krijesave padrejtësi, duke i mashtruar dhe i detyruar që të pasojnë rrugën e tij të humbur.
Madje, ai i lufton njerëzit, duke përdhosur nderin, pasurinë dhe jetën e atyre që nuk pranojnë ta pasojnë në rrugën e humbjes. Të tillë janë të gjithë ata që pretendojnë se janë profetë pas Muhamedit a.s, si Muselejmeh Mashtruesi, Esued el Anesiju etj.
– “… ose që thotë: “Unë mund të zbuloj diçka të ngjashme me atë që ka zbritur Allahu”?! – Ku ka zullumqar më të madh se ai që pretendon se ka fuqi të bëjë atë që bën Zoti, të bëjë ligje e të pretendojë se janë ligje të Zotit apo t’i bëjë ato të detyrueshme për zbatim, sikurse bën Zoti me ligjet e Tij? Kjo përfshin të gjithë ata që pretendojnë se kanë pushtetin për të kundërshtuar Kur’anin, ose që pretendojnë se mund të sjellin libër si Kur’ani.
E ku ka padrejtësi më të madhe sesa ajo e një fakiri të pafuqishëm e të mangët nga çdo drejtim, që pretendon se është i njëjtë apo i afrohet të Plotfuqishmit e të Pasurit, që nuk ka nevojë për asnjë e për asgjë, të Cilit i takon përsosmëria absolute në të gjitha drejtimet, në Qenien e Tij, në emrat e cilësitë e Tij, në atributet dhe veprat e Tij?! Pasi foli për këta zullumqarë të shëmtuar, Allahu i Madhëruar na kujton ndëshkimin poshtërues dhe të dhembshëm që i pret ata gjatë vdekjes dhe në Ditën e Gjykimit.
– “Eh, sikur t’i shihje keqbërësit kur janë në agoni të vdekjes,…” – Sikur t’i shikoje ata në agoninë e tmerrshme të vdekjes, kur frika e dhimbja i lë pa frymë, pamja do të ishte e tmerrshme dhe e papërshkrueshme. I Lartësuari thotë:
– “… ndërsa melekët kanë shtrirë duart e veta e u thonë: “Jepeni shpirtin! …” – Melekët i zgjasin duart e tyre drejt zullumqarëve, që me dhimbje po përjetojnë vdekjen, dhe i godasin ashpër e pa mëshirë. Ata u drejtohen shpirtrave të tyre, që nuk duan të dalin jashtë trupit, për shkak se janë të tmerruar, dhe u thonë:
– Tani do të vuani dënimin poshtërues …” – Zoti e përshkruan si “adhâbel hûni” – ndëshkim poshtërues. Ndëshkimi atë ditë do të jepet sipas llojit të veprave të kryera. Ata e meritojnë këtë, sepse:
– “… sepse ju thoshit të pavërteta për Allahun dhe ndaj shenjave të Tij tregoheshit kryeneçë.” – Ju e merituat ndëshkimin për shkak të trillimeve tuaja rreth të vërtetës dhe refuzimit të Shpalljes, që ju erdhi nga Zoti juaj nëpërmjet profetëve të Tij të vërtetë.