– Kujtoni kur Ibrahimi i tha babait të vet, Azerit: “Vallë, statujat po adhuron si zota?! – Allahu i Madhëruar na urdhëron që të kujtojmë historinë e Ibrahimit a.s. Këtu përshkruhet vlera e lartë e Ibrahimit, kur ai ftonte popullin e tij në teuhid dhe e ndalonte nga shirk-u. Ibrahimi i thoshte babait të tij, Azerit: “Ti preferon të adhurosh puta e idhuj, që nuk sjellin e as zotërojnë dobi apo dëm?! Ata nuk zotërojnë gjë, për asnjë çështje.”
– Unë po shoh që ti dhe populli yt jeni në humbje të sigurt.” – Ju jeni në humbje të thellë, sepse adhuroni gjëra që nuk meritojnë asnjë lloj adhurimi dhe keni braktisur adhurimin e Krijuesit tuaj, Furnizuesit, i Cili përkujdeset e rregullon të gjitha çështjet tuaja.