Select Page

Ka disa njerëz, që thonë: “Ne besojmë në Allahun”. – Në ajetet e mësipërme, Allahu i Lartësuar na qartëson se Ai ka për ta sprovuar këdo që pretendon se ka iman, për të dalluar të sinqertin nga gënjeshtari. Në vijim, Allahu i Madhëruar na tregon se ka njerëz që nuk tregojnë durim përballë sprovave dhe janë të paqëndrueshëm ndaj tronditjeve. Ai thotë:

Por, kur vuajnë për çështjen e Allahut … Domethënë, nëse për shkak të besimit vuajnë rrahje, marrje pasurie, shpifje e intriga për t’i kthyer nga feja dhe për të përqafuar të kotën…

… e quajnë shtypjen e njeriut sikur të ishte dënim nga Allahu. Për shkak të këtyre, pra, e braktisin imanin dhe bazat e tij.

Ndërsa kur u vjen ndihma prej Zotit tënd, ata thonë: “Ne kemi qenë gjithmonë me ju”. – Sepse kjo u shkon sipas dëshirave. Këta lloj njerëzish janë ata për të cilët Allahu i Madhëruar ka thënë: “Ka njerëz nga ata që e adhurojnë Allahun luhatshëm. Nëse u vjen ndonjë e mirë, ata qetësohen me të. Por nëse u vjen ndonjë sprovë, ata kthehen në fytyrën e vet të vërtetë dhe kështu humbasin edhe dynjanë, edhe ahiretin. Kjo është humbja e qartë. ” [Haxh 11]. Ndërsa këtu thotë:

Vallë, a nuk e di Allahu më së miri se ç’ka në zemrat e çdokujt?Ai ju njoftoi për këtë grup me këto cilësi, që ta dini mirë se sa e plotë dhe absolute është dija e Zotit dhe sa e gjerë është urtësia e Tij.