Select Page

Kurse ata të cilëve u është dhënë dituri dhe besim, do të thonë: “Ju keni qëndruar aq sa e pati caktuar Allahu, deri në Ditën e Ringjalljes.Allahu i Lartësuar i ka nderuar me dituri dhe iman. Dituria rreth së vërtetës është cilësi e tyre. Imani i tyre është i sinqertë, sepse ata i japin përparësi së vërtetës. Kështu, duke qenë se ata e njohin mirë të vërtetën dhe i japin përparësi asaj mbi çdo gjë tjetër, atëherë edhe fjalët e tyre janë të vërteta dhe në përputhje të plotë me veprat e tyre. Ata janë të parët që bëjnë ato punë të mira që ua mësojnë të tjerëve.

Ata gjithmonë thonë të vërtetën kur flasin. Ata thonë atë ditë: Ju keni qëndruar aq sa e pati caktuar Allahu, deri në Ditën e Ringjalljes. Ju keni qëndruar në atë jetë aq sa ishte caktuar në kaderin dhe ligjin e Zotit. Ju jetuat në dynja mjaftueshëm, aq sa çdo njeri mund të mendojë e të meditojë dhe kush dëshiron, të mund të nxjerrë mësim. Megjithatë, ju vazhduat me mohim, derisa tani jeni të ringjallur përpara Zotit, në pritje të llogarisë.

Kjo është Dita e Ringjalljes, por ju nuk e pranonit!Ju e mohonit ringjalljen, prandaj tani, në Ditën e Gjykimit, pretendoni se në dynja nuk qëndruat mjaftueshëm për të besuar e gjykuar drejt. A thua se nuk patët kohë të mjaftueshme që të ktheheshit tek Zoti të penduar e të nështruar për ta adhuruar Atë! Padituria ishte ajo që ju priu dhe mosbesimi e mohimi i të vërtetës u bë i pandashëm për ju.