– ”Ne edhe para teje dërguam profetë ndër popuj, të cilët u sollën atyre argumente të qarta.” – Edhe në popujt e hershëm para teje kemi dërguar profetë, kur popujt e cenuan teuhidin e Zotit dhe refuzuan të besojnë në fenë e vërtetë dhe të drejtë. Kur njerëzit binin në shirk, Allahu i Lartësuar u dërgonte profetë, që t’i ftonte për të njësuar Atë, për të qenë të sinqertë dhe për të pranuar të vërtetën.
Ata u qartësonin popujve kotësinë e besimeve të tyre dhe i paralajmëronin për rrezikun e mohimit të Zotit dhe humbjes, ku ishin zhytur. Ata u sillnin popujve argumente dhe fakte të shumta për besimin dhe ftesën e vërtetë të Zotit, por përsëri shumë nga ata nuk i besonin dhe nuk nënshtroheshin për të besuar. Për këtë arsye, i Lartësuari thotë:
– ”Pastaj i ndëshkuam ata që bënin padrejtësi e ligësi.” – Kështu i ndihmonte Allahu besimtarët e sinqertë, pasuesit e vërtetë të profetëve. Ai thotë:
– ”Është detyrimi Ynë që të ndihmojmë besimtarët.” – Zoti ia ka bërë detyrë Vetes që do t’i ndihmojë besimtarët. Kjo është diçka që do të ndodhë patjetër. Kështu, o ju që nuk besoni Muhamedin (a.s), nëse vazhdoni me mohimin e së vërtetës, edhe mbi ju do të godasë dënimi dhe Ne kemi për t’i dhuruar atij fitoren mbi ju.