– ”Ai (Allahu) ka për t’i shpërblyer me mirësinë e Tij, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira.” – Shpërblimi i tyre nuk është i kufizuar vetëm me veprat që paraqesin, por Allahu i Lartësuar ka për t’u dhënë nga mirësitë e Tij të pakufishme, prej bujarisë së Tij të paanë, shumë më tepër sesa ç’mund të arrijnë me veprat e tyre.
Kështu do të ndodhë, sepse Allahu i Lartësuar i do ata dhe kur Allahu i Madhëruar e do dikë, e mbulon atë me mirësitë e Tij të mëdha, ia shton dhuratat dhe begatitë dhe e lumturon me mirësi që duken, por edhe me ato që janë të fshehta e të padukshme. Kështu i trajton Allahu besimtarët, ndryshe nga mohuesit. Duke qenë se Allahu i urren ata, u jep dënimin e merituar, por nuk thotë se do të shtojë dënimin mbi ata që e meritojnë:
– ”Me të vërtetë, Ai nuk i do ata që refuzojnë të besojnë.” – Përfundimi i tyre është dënimi i merituar, me drejtësinë e Allahut.