– ”Për shkak të veprave (të këqija) të njerëzve, janë shfaqur të këqija në tokë e në det …” – Është përhapur dhe mbizotëron prishja në tokë dhe në det. Është prishur mënyra e jetesës, me mangësitë, dëmet e transformimet që janë përhapur. Po kështu, edhe në vetet tuaja janë përhapur sëmundje e fatkeqësi të shumta. Të gjitha këto kanë ndodhur për shkak të punëve shkatërrimtare të vetë njeriut. Allahu i Madhëruar na njofton se të gjitha këto kanë ndodhur:
– ”… që ata të shijojnë një pjesë të ndëshkimit që meritojnë …” – Që ta kuptojnë se Allahu ka për t’i ndëshkuar për veprat e tyre, dhe një pjesë të këtij ndëshkimi, Ai ua jep si shembull në këtë dynja, në mënyrë që ata:
– ”… dhe me shpresë që të kthejnë rrugë (nga të këqijat).” – Të kthejnë rrugë dhe të reshtin së punuari ato punë që u shkaktojnë e sjellin shkatërrimin. Kështu do të bëhet i mundur rregullimi i gjendjes dhe veprave të tyre. I lavdëruar qoftë Ai që është i Butë dhe i Mëshirshëm edhe kur sjell ndëshkime, për të rregulluar gjendjen e tyre. Nëse do t’i ndëshkonte për të gjitha padrejtësitë që bënin, nuk do të linte mbi faqen e dheut asnjë gjallesë.