Select Page

Kur Ne u japim njerëzve (begati e të mira) nga mëshira Jonë, ata gëzohen me to.  Allahu i Lartësuar na tregon për gjendjen e shumicës së njerëzve gjatë sprovave, qoftë gjatë vështirësive, qoftë gjatë mirësive dhe bollëkut. Kështu ata, kur Allahu i Lartësuar u jep të kënaqen nga mëshira e Tij pasuri, fitime të shumta,  ndihmë etj., ata gëzohen në atë mënyrë që i çon në mendjemadhësi e vetëkënaqësi. Ata nuk gëzohen në mënyrë të tillë që t’i nxisë për mirënjohje ndaj Zotit dhe përunjësi për begatitë e dhuruara nga Ai.

Por nëse ata i godet ndonjë e keqe për shkak të veprave të tyre, atëherë ata humbin çdo shpresë. Për shkak të gjynaheve të tyre, Allahu i Lartësuar u lëshon ndonjë fatkeqësi e sprovë, dhe “…atëherë ata humbin çdo shpresë.” Ata humbin çdo shpresë, duke menduar se varfëria kurrë nuk do t’u largohet, se sëmundja kurrë nuk do të shërohet etj. Kjo tregon injorancën e tyre të thellë dhe se sa të paditur janë ata rreth Zotit dhe veprave të Tij të urta dhe të mëshirshme.