– ”A mos, vallë, u kemi shpallur atyre ndonjë argument, që u flet për atë (idhujt) që ata më përshkruajnë Mua?” – Mos, vallë, iu kemi zbritur atyre ndonjë argument për saktësinë e idhujtarisë së tyre, apo që i bën të këmbëngulin në rrugën e idhujtarisë, apo që u mëson se rruga e profetëve është rrugë e kotë dhe rruga e tyre është e vërteta e sigurt?!
Ku është ky argument që i bëjnë të kapen fort pas idhujtarisë së tyre dhe refuzimit të rrugës së profetëve? Argumentet logjike dhe ato të Shpalljes, librat e qiellit, profetët dhe më të zgjedhurit e krijesave kanë ndaluar rreptësisht nga shirku dhe nga ndjekja e çdo rruge që të çon tek ai. Të gjithë kanë gjykuar se çdo mendje dhe fe që urdhëron për shirk është e kotë dhe e shkatërruar dhe kjo rrugë është veçse një trillim dhe mashtrim i dënueshëm dhe i pafalshëm nga Zoti. Kështu, shirku i këtyre nuk bazohet në asnjë argument, por është thjesht prej devijimit të shejtanit të mallkuar dhe ndjekje e pasioneve të ndaluara e të shfrenuara.