– “Ne i kemi sjellë të dërguarit veçse si përgëzues dhe qortues.” – Allahu i Madhëruar tregon këtu funksionin kryesor që kanë patur profetët. Ata u dërguan që të përgëzonin e paralajmëronin njerëzit. Që përgëzimi të jetë i plotë, ashtu sikurse është detyrë për profetët, duhet që të sqarohen disa gjëra, si më poshtë:
- Cilët janë ata që e meritojnë përgëzimin dhe premtimin për shpërblim?
- Cilat janë veprat nëpërmjet të cilave fitohet përgëzimi?
- Cilat janë janë mirësitë me të cilat përgëzohen?
Po kështu, edhe për paralajmërimin për ndëshkim duhet të sqarohen disa gjëra, si:
- Cilët janë ata që e meritojnë dhe cilët janë të rrezikuar prej tij.
- Cili është ndëshkimi që i pret të kërcënuarit.
- Cilat janë veprat që e shfaqin njeriun ndaj rrezikut të paralajmëruar.
Në lidhje me mënyrën si i trajtojnë përgëzimet dhe paralajmërimet, njerëzit ndahen në dy grupe:
– Ata që besojnë dhe i përmirësojnë veprat e tyre, nuk kanë për të pasur frikë e as brenga. – Ata që besojnë Allahun, melekët, librat e shpallur, profetët, Ditën e Gjykimit e gjithçka që duhet besuar, të cilët, gjithashtu, përmirësojnë vazhdimisht imanin, veprat dhe nijetin e tyre. Të tillët nuk kanë frikë për atë që i pret në të ardhmen dhe nuk brengosen për çfarë ka ndodhur në të kaluarën.