Select Page

Por ata që e ngarkuan veten me padrejtësi, shkuan pas dëshirave të tyre, pa patur aspak dituri. – Ata janë shpirtra të mangët, dhe kjo mangësi duket qartë në atë se me çfarë janë të lidhura dhe çfarë dëshirojnë e synojnë. Si të tillë, ata lidhen me diçka që çdo logjikë e pastër dëshmon se është jo e drejtë dhe çdo natyrë e papërlyer e refuzon dhe nuk e pranon. Ata pasojnë kotësitë pa pasur asnjë lloj njohurie dhe asnjë fakt që do t’i udhëzonte drejt tyre.

E kush mund ta sjellë në rrugë të drejtë atë që Allahu e ka lënë të humbur? – Mos u çudit aspak në mosudhëzimin e tyre, sepse Allahu i ka lënë në humbje për shkak të padrejtësisë dhe ligësive të tyre. Dhe atë që Allahu e ka lënë në humbje, askush nuk mund ta udhëzojë. Askush nuk mund të kundërshtojë Zotin dhe ta ndalojë vullnetin e Tij, sepse Ai është i vetmi dhe absolut në pushtetin dhe sundimin e Tij. Ai nuk e ndan pushtetin e Tij me asnjë.

Ata nuk do të kenë asnjë ndihmëtar. – Askush nuk ka për t’i ndihmuar kur mbi ta të përmbushet urdhri për dënim. Atëherë, ata nuk do të kenë asnjë forcë e mundësi për të shpëtuar nga ky dënim.