Select Page

Ai (Zoti) ju jep një shembull nga vetë ju. Ky është një shembull, që Allahu i Lartësuar e sjell për të treguar se sa i shëmtuar është shirku, shembull të cilin nuk ke nevojë të mundohesh shumë për ta kuptuar.

Mos vallë, ju i konsideroni si shokë (ortakë) ata që i keni në zotërimin tuaj, në atë që Ne jua dhamë juve (në pronësi), dhe kështu të jeni të barabartë në të? A ka ndonjë nga skllevërit e skllavet, që ju zotëroni, që të pretendojë se ka pjesë dhe të drejtë të barabartë në pasurinë tuaj, sikurse edhe ju? A e pranoni që ata dhe ju të keni të drejta të barabarta në pasurinë tuaj? Përgjigjja është: sigurisht që jo. Madje:

Ju frikësoheni prej tyre, ashtu siç frikësoheni nga njëri tjetri. Ju frikësoheni prej tyre ashtu siç frikësoheni nga të lirët, nga të cilët druheni se mund të pretendojnë (edhe me të drejtë) ndonjë pjesë nga pasuria juaj. Me fjalë të tjera, ju kurrë nuk do të dëshironit që dikush prej atyre që i keni nën zotërimin tuaj të ketë pjesë në pasurinë dhe pushtetin tuaj. Dhe të mendosh se, nuk jeni ju ata që i keni krijuar ata dhe as e keni ju në dorë rizkun e tyre. Madje, si ju, ashtu edhe ata, jeni të gjithë krijesa të barabarta para Zotit.

Atëherë, pyetja që ju shtrohet: Si është e mundur që të pretendoni se Zoti ka shok e partner në krijimin e Tij dhe i konsideroni ata si të barabartë, të njëjtë e të ngjashëm me Të në meritën e adhurimit, ndërkohë që ju për veten tuaj nuk e pranoni një gjë të tillë?! Kjo është nga gjërat më të çuditshme dhe të papranueshme. Gjithashtu, është tregues i mendjelehtësisë së atyre që i shoqërojnë Zotit shok në pushtetin e Tij dhe në meritën e adhurimit të Tij si një të vetëm. Ajo që ata trillojnë është e kotë dhe e gabuar dhe kurrsesi nuk mund të jetë e ngjashme me Zotin dhe as të meritojë ndopak adhurim.

Kështu ua sqarojmë faktet njerëzve që mendojnë.Kështu i qartëson Zoti argumentet e Tij, duke sjellë shembuj të qartë e të kuptueshëm. Por këto i kuptojnë veçse njerëzit që mendojnë, ata që e logjikojnë realitetin e gjërave dhe arsyetojnë të vërtetën. Ndërsa ata që nuk logjikojnë, edhe nëse ua shtjellon e qartëson argumentet dhe u sjell çdo shembull për të kuptuar, ata nuk kanë logjikë që të mund të shohin mesazhin, të qetësohen dhe të gjejnë rrugën. Ajetet dhe shembujt u jepen të mençurve, që ata t’i kuptojnë dhe të logjikojnë rreth tyre.

Nga ky shembull kuptohet qartë se ai që i shoqëron Zotit shokë e të barabartë dhe i adhuron ata, u mbështetet e u kërkon ndihmë atyre për çështjet e tij, ai nuk ka asnjë argument për këtë që bën. Atëherë, shtrohet pyetja: Çfarë i bën ata që t’i përkushtohen kësaj kotësie, e cila është shumë e qartë dhe e dukshme? Përgjigjja: pasimi i epsheve të tyre dhe parapëlqimi i tyre mbi të vërtetën dhe Zotin e Madhëruar.