Select Page

Nga argumentet e Tij është që, Ai krijoi për ju bashkëshorte nga lloji juaj, që të gjeni prehje tek ato dhe bëri që mes jush të ketë dashuri dhe mëshirë. Nga shenjat madhështore që i dëshmojmë në këtë jetë dhe që tregojnë mëshirën e Tij, përkujdesin e madh për krijesat, urtësinë e Tij gjithëpërfshirëse dhe diturinë e Tij madhështore është edhe fakti që Ai: “… krijoi për ju bashkëshorte nga lloji juaj …”, të tilla që ju përshtaten juve dhe ju u përshtateni atyre. Ai ju ka bërë për njëri-tjetrin dhe vendosi ngjashmëri mes jush në aspekte të shumta. Me diturinë, urtësinë e mëshirën e Tij, Ai i bëri këto gjëra që: “… të gjeni prehje tek ato dhe bëri që mes jush të ketë dashuri dhe mëshirë.”

Ai bëri të mundur që ju të gjeni prehje, qetësi, dashuri e mëshirë tek njëri tjetri, që përmbushen gjatë martesës suaj. Ai ju dhuron kënaqësi trupore e shpirtërore, por edhe shumë dobi e përjetime të mrekullueshme kur ju dhuron fëmijë. Në këtë mënyrë, mes jush forcohet dashuria e mëshira dhe ju merrni përsipër përgjegjësitë e familjes. Shtëpia juaj bashkëshortore është vendi i qetësisë dhe prehjes suaj mes gruas dhe fëmijëve, që i doni dhe ju duan. Njeriu nuk e gjen diku tjetër dashurinë, prehjen e mëshirën që gjen në familjen e tij.

Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë. Ata vënë në përdorim mendjen e tyre, për të medituar në shenjat e argumentet e Allahut në krijimin e Tij. Nëse mediton në çdo fazë të jetës së njeriut,  e sheh përkujdesin e vazhdueshëm të Zotit në çdo çast të jetës.