– ”Nga argumentete Tij është edhe se Ai ju krijoi prej dheu …” – Në këtë ajet, i Allahu i Lartësuar na tregon shenjat dhe argumentet që tregojnë se Ai është i Vetmi që meriton adhurimet e njerëzve dhe na tregon madhështinë e Tij të plotë dhe absolute; na tregon se ajo që ndodh në gjithësi është vullneti i Tij dhe nën pushtetin dhe mbretërimin e Tij të plotë. Ai na tregon sa i bukur është krijimi dhe përkujdesja e Tij, sa e gjerë është mëshira, bamirësia dhe bujaria e Tij. Ai thotë: “Ai ju krijoi prej dheu…” Kështu ishte krijimi i njeriut të parë, Ademit (a.s), nga i cili do të dilte i gjithë lloji njerëzor.
– ”… dhe ju u bëtë njerëz (të shumtë), që shpërndaheni nëpër Tokë.” – Ai i cili ju krijoi nga dheu, pra, nga një origjinë e vetme, dhe pastaj ju bëri të shumoheni e të shpërndaheni në skajet e tokës, Ai e meriton që të jetë i vetmi i Adhuruari me meritë në zemrat tuaja; sepse Ai është Zoti, Krijuesi, Furnizuesi, Mbretëruesi, i Lavdëruari, i përshkruar me çdo cilësi të lartë të bukur dhe absolute. Ai është Mëshirëploti i Dashur, i cili ka për t’ju ringjallur pas vdekjes tuaj.