– ”A nuk udhëtojnë ata nëpër tokë e të shohin se si qe përfundimi i atyre që ishin më parë? Ata ishin edhe më të fortë se këta dhe e punuan dhe e ndërtuan tokën më shumë sesa këta. Atyre u erdhën të dërguarit me fakte të qarta. Allahu nuk u bëri asnjë padrejtësi atyre, por ata i bënë padrejtësi vetvetes.” – Allahu i Madhëruar na nxit që të udhëtojmë në tokë dhe të shohim e mësojmë se si që përfundimi i atyre që i mohuan profetët dhe kundërshtuan rrugën dhe porositë e tyre. Ata popuj të zhdukur ishin më të fortë se këta të sotmit dhe lanë në tokë më shumë gjurmë, si kështjella apo vepra të çuditshme. Ata jetuan mes pemëve të shumta, me bimësi të dendur e ujë të bollshëm.
Por atyre nuk u bënë dobi këto gjëra kur mohuan profetët, që u sollën argumente e shenja të qarta, që tregonin për të vërtetën dhe saktësinë e kumteve që sollën prej Zotit. – Kur të udhëtoni nëpër tokë, në vendbanimet e popujve të zhdukur do të shihni që ato kanë mbetur si gërmadha të frikshme, pa jetë e pa banorë në to; përveç kësaj, ata i ndjek nga pas edhe nami i keq e përbuzja e krijesave për ta. Ky, në fakt, është një nga ndëshkimet e tyre në këtë dynja, i cili është edhe fillimi i dënimit në ahiret. Të gjithë ata popuj të shkatërruar ishin të padrejtë e keqbërës. Allahu nuk u bëri asnjë padrejtësi, por ishin ata që i bënë padrejtësi vetvetes, duke u bërë shkaktarë të dënimit.